Taksa ndaj Serbisë, ҫfarë do të ndodh me koalicionin PAN?

18:30 | 29 January 2019

Kohë më parë, Qeveria e Kosovës vendosi taksën prej 100% për produktet serbe.

Që prej se ishin marrë vesh për bashkëqeverisje në maj të vitit 2017, kur Kadri Veseli u pajtua t’ia lëshojë rrugën Ramush Haradinajt për t’u bërë kryeministër i koalicionit PAN, partnerët kanë kultivuar raporte të mira.

Por, tani, me vendosjen e taksës ndaj Serbisë, koalicioni po përballet me presion të madh ndërkombëtar. Haradinaj nuk po lëshon pe, e pikërisht për këtë tashmë opinioni po pret çdo çast që PDK-ja ta kryejë “aktin e tradhtisë” duke e prishur koalicionin për ta mbajtur mirë me amerikanët.

A do t’i shkurorëzojë taksa Veselin e Haradinajn?

Shumë herë koalicionet në Kosovë janë quajtur martesa të zorit. Kështu ishte pagëzuar një bashkëqeverisje ndërmjet LDK’së e PDK’së shumë vite më parë.

Haradinaj, Veseli e Limaj gati dy vitet e fundit kanë kultivuar një marrëdhënie korrekte, duke akomoduar suksesshëm interesat partiake brenda koalicionit. Por, për herë të parë Haradinaj dhe Veseli kanë nisur të flasin kundër njëri–tjetrit për shkak të takës qe Qeveria ka vendosur ndaj mallrave nga Serbia e Bosnja vitin e kaluar. Haradinaj po këmbëngul që taksa të mos hiqet edhe nëse vjen deri te prishja me aleatët, përderisa Veseli po e potencon të kundërtën.

Javë më parë kur u vendos që taksa ndaj Serbisë të shkonte në 100 për qind, Veseli në emisionin Pressing të televizionit T7 thoshte se këtë vendim e kishin marrë bashkë me kryeministrin Haradinaj dhe se atij i ka kërkuar që të mos tërhiqej nga sanksioni i vënë ndaj Serbisë.

Presioni i intensifikuar nga ndërkombëtarët dhe thirrjet e Presidentit Thaçi që të hiqet taksa sa më shpejt, e ktheu Veselin në krahun tjetër.

Tash kryetari i PDK’së, bashkë me të tjerët, i kërkon kryeministrit Haradinaj që taksa të pezullohet. Sipas propozimit të kryeparlamentarit, me kërkesë të SHBA’së, taksa ndaj Serbisë duhet të pezullohet për 120 ditë.

Burime të Gazetës Express tregojnë se Veseli i ka dhënë kohë Haradinajt deri të premten për të vendosur nëse e heq taksën, në të kundërtën rrezohet Qeveria.

Haradinaj nuk e di nëse PDK ka kryer tradhti kur ia ka rrezuar qeverinë ish-partnerit Isa Mustafa, por thotë se nuk lëkundet nga qëndrimi i tij rreth taksës. Shefi i Qeverisë nuk e përfill propozimin e kryeparlamentarit dhe tarifën ndaj produkteve serbe thotë se do ta heqë vetëm kur Serbia ta njohë dhe të mos e bllokojë Kosovën.

“Nuk e di për besë, nuk e kam një reflektim se a është tradhti. Qëndrimi im është si në letrat që ua kam dërguar shteteve të QUINT’it”, tha sot Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë.

Ndërkaq, nëse bie Qeveria, kryeministri ka një mesazh për ata që duan ta rrezojnë: taksa prapëseprapë do të vazhdojë të zbatohet, së paku deri në qershor.

“Nëse shpallen zgjedhjet, i bie që taksa mbetet deri në qershor. Dua t’ju them, bëhuni gati se me taksë hyjmë në verë”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, thotë se për të nuk është shqetësuese rënia e Qeverisë.

“Qeveria për mua nuk përben fare shqetësim. Për mua shqetësim përben mesazhi i keq që përmes mungesës së unitetit në raport me Serbinë i dërgojmë bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Sherifi.

Shefi i GP të Nismës, që ndryshe nga PDK vazhdon ta përkrahë kryeministrin Haradinaj për mosheqjen e taksës ndaj Serbisë, thotë se e shqetëson mungesa e unitetit.

“Si rezultat i mosunitetit ne këtë çështje, pasojat për Kosovën ne te ashtuquajturën faze te fundit te dialogut me Serbinë do te mund te jene te mëdha!”, ka thënë Sherifi.

Ambasada amerikane të premten lëshoi një deklaratë, ku në mënyrë eksplicite i tregoi kryeministrit Haradinaj se çka e pret atë nëse nuk e pezullon menjëherë taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës.

Ndërkohë, Presidenti Thaçi po vazhdon t’i dërgojë mesazhe indirekte kryeministrit Haradinaj.

Para disa javëve, Thaçi shkruante se taksa duhet të hiqet, pasi këtë po e kërkojnë aleatët strategjikë të Kosovës, si SHBA e BE, ndërsa sipas presidentit, raportet e mira me ta nuk mund të rrezikohen për teke të disa liderëve.

Haradinaj po u rezistonte thirrjeve të të gjithëve duke thënë se “se bora duhet të shkrihet në të dyja anët”.

Thaçi këtë fundjavë pati një shkrim të çuditshëm në profilin e tij në Facebook, duke përmendur borën, që Haradinaj e ka futur së fundmi si pjesë të deklaratave të tij.

“Bora ka zënë të shkrihet shpejt… Uroj të mos bëhet skllotë!”, shkruante Presidenti, i cili po përflitet si nxitës i prishjes ndërmjet PDK’së dhe AAK’së.

E, derisa po pritet prishja e koalicionit dhe “akti i tradhtisë”, këshilltari kryesor i Haradinajt, Avni Arifi, në emisioni “Frontal” të martën në Express tha se nuk do ta konsideronin tradhti prishjen e qeverisë nga PDK.

Komento: