Taksa ndaj Serbisë, Amerika kërkon pezullimin e menjëhershëm të saj

11:35 | 14 January 2019

Disa muaj më parë, Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e taksës prej 100% per produktet serbe.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve dhe Departamenti i Shtetit Amerikan kanë formësuar pozicionin e tyre lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë, respektivisht çeshtjen e taksës së vendosur nga qeveria dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Burimet e Klan Kosovës kanë siguruar mesazhin e qartë i cili tashmë iu është transmetuar edhe në formë të shkruar autoriteteve shtetërore kosovare.

Ky qëndrim i prerë i administratës amerikane është përmbledhur në tetë pika kryesore:

“Masat tarifore janë marrë pa asnjë konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Shprehim zhgënjimin e thellë që pas letrës së Presidentit Trump drejtuar Presidentit Thaçi, jo vetëm që nuk ka pasur reflektim pozitiv nga ana e Qeverisë së Kosovës, por janë shtuar produktet të cilat i nënshtrohen tarifës“.

“Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të tarifës. E njëjta tarifë mund të rivendoset në rast se dështon marrëveshja me Serbinë“.

“Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën nuk është e pakushtëzuar. Kosova për momentin e bart barrën e rrezikimit të dështimit të dialogut“.

“Nëse tarifa nuk suspendohet urgjentisht, SHBA-të do të suspendojnë asistencën në fushën e sigurisë, pra mbështetjen për FSK“.

“Suksesi dhe arritja e marrëveshjes nuk ndërlidhen me rolin e znj. Federica Mogherini dhe BE-në. Arritja e marrëveshjes është interes strategjik i SHBA-ve, prandaj është e papranueshme për ne vënia në pikëpyetje e këtij qëllimi strategjik nga ana e veprimeve të papergjegjshme të liderëve kosovarë”.

“Në rast se marrëveshja dështon për shkak të Kosovës, barrën e përgjegjësisë dhe pasojat do t’i bartë vetë Kosova dhe individët përgjegjës për këtë dështim“.

“Kosova me sjelljet e saja të papërgjegjshme po e rrezikon seriozisht miqësinë me SHBA-të”.

Klan Kosova gjithashtu e ka të konfirmuar që me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, ky mesazh është përcjellë tek pesë institucionet relevante shtetërore të Kosovës nëpërmjet kanaleve diplomatike.

Komento: