Taksa ndaj Serbisë, ide e Hoxhajt? Kjo është përgjigja e Arifit

13:30 | 10 Janar 2019

Pothuajse dy muaj më parë, Qeveria e Kosovës mori vendim që të vendos taksën prej 100% për produktet serbe.

Tek tani zyrtarë të ndryshëm të Qeverisë po vrapojnë pas asaj se kush i ka meritat për vendosjen e taksës. Përplasjet ndërmjet zyrtarëve të partive politike mbi atë se kush e dha i pari idenë për këtë vendim i inicioi presidenti Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qëndruar i ftohtë në raport me vendimin e Qeverisë Haradinaj për vendosjen e taksës. Madje, nuk e përjashtonte mundësinë e heqjes së saj. Por, kur kryeministri Ramush Haradinaj i ktheu përgjigje negative BE-së edhe pasi Frederica Mogherini ofronte që në këmbim të heqjes së taksës ndaj Serbisë emërtimi i shtetit tonë, UNMIK të zëvendësohet me Kosovo*, rëndësia për të vazhduar me aplikimin e taksës u bë edhe më e madhe.

Pikërisht ky vendim i ka shkaktuar miliona euro humbje Serbisë. Jehona e të cilit nuk po shuhet, përkundrazi po nxit tensione mes koalicionit aktual qeverisës.

Por kush e dha idenë për taksë?

Para tri ditësh, presidenti Hashim Thaçi tha se vendimi për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe u mor nga Enver Hoxhaj në koordinim me Kadri Veselin. Ndërsa Ramush Haradinaj dhe të tjerët e kanë votuar këtë vendim, u shpreh presidenti.

I menjëhershëm ishte reagimi i zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj duke iu përgjigjur Hashim Thaçit se politikat bëhen nga koalicioni qeverisës dhe vendimet për ato politika i merr kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Për këtë temë, Limaj shtoi se gara për taksën s’i bën nder presidentit.

Me deklaratën e Limajt u mendua se po përmbyllej kjo çështje. Mirëpo, PDK-ja po shpërndan deklarata se ideja për taksën u dha nga zyrtarë të partisë së tyre.

Vetë, mbrëmë zëvendëskryeministri tjetër i koalicionit qeverisës, Enver Hoxhaj, tha se idenë për taksën e ka dhënë ai. E cila është mbështetur nga Ramush Haradinaj e Kadri Veseli.

“Unë jam ai që kam dhënë idenë për vënien e taksës. Ideja është përkrahur nga kryeministri Haradinaj dhe nga kryetari Veseli”, tha Enver Hoxhaj në RTK.

Për këtë debat Gazeta Express sot ka marrë një përgjigje nga kabineti i kryeministrit Ramush Haradinaj. Shefi i stafit dhe këshilltari i kryeministrit, Avni Arifi, tha se programi i reciprocitetit ndaj Serbisë ka qenë pjesë e AAK-së që nga viti 2017. Duke mos dashur t’i komentojë deklaratat e Thaçit e Hoxhajt.

“Parimi i reciprocitetit është pjesë programore e AAK-së dhe kjo ka qenë kaherë e inkorporume në programin qeverisës. Unë nuk dua të komentoj zotri Hoxhajn e asnjë zyrtar tjetër lidhur me meritat për 10 përqindëshin. Por, mund të konstatoj se që në vitin 2017 në programin e AAK-së është inkorporu parimi i reciprocitetit si parim i cili mundet në plotëni të aplikohet në rast se do të vazhdonte politika serbe që ka qenë në vitin 2017”, tha Avni Arifi.
Ai shtoi se AAK-ja vendosjen e taksës e sheh vetëm si një hap drejt implementimit të plotë të aspektit programor të partisë së tij.

Lidhur me temën Gazeta Express ka tentuar të marrë edhe një përgjigje nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, por ai tha se ndodhet jashtë vendit.

Sidoqoftë, Serbia ka humbur 500 milionë euro nga taksa 100 për qind. Për heqjen e taksës Kosovës po i bëhet presion i madh nga BE-ja. Vendosja e së cilës nuk ka një afat të caktuar se sa do të zgjasë.

Megjithatë, Qeveria Haradinaj ka paralajmëruar edhe masa të tjera reciprociteti ndaj Serbisë.

Komento: