Taksa nuk heqet

23:55 | 21 Janar 2019

Heqja e taksës ndaj Serbisë është vënë kusht nga Shtet e Bashkuara të Amerikës.

Por, ky kusht amerikan nuk pritet të realizohet nga kryeministri ramush Haradinaj.

Taksa nuk do të hiqet as nesër e as pasnesër. Kështu ka thënë Besnik Tahiri, koordiantor nacional për reformën shtetërore në Qeverinë e Kosovës, në një bisedë për Interaktiv të KTV-së.

Duk folur për takimin që është paralajmëruar të mbahet të martën e 22 janarit, mes kryeministrit Ramush Haradinaj, kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se ky i pari do të përsëritë qëndrimin e tij për taksën.

“Vendimi për taksën nuk ka ardhur se ne jemi zgjuar në një mëngjes dhe kemi vendosur që ta vendosim taksën, por është një vendim politik që ka ardhur si pasojë e veprimeve të Serbisë, sidomos kohëve të fundit. Vendimi ka ardhur edhe si pasojë e diskutimeve dhe pajtimit mes partnerëve të koalicionit”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se po sheh një diskurs, për të gabueshëm, se taksa po i dëmton marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën.

“Kjo taksë nuk është kundër Amerikës, as kundër ndonjë vendi të BE-së, madje as kundër Serbisë. Është taksë që tregon se këtu ka një shtet dhe një kryeministër që është sovran në vendimet e veta”, ka thënë Tahiri, përcjell Koha.net. “Taksa e ka bërë formësimin e shtetësisë së Kosovës, dinjitetin e qeverisjes në vend, dhe është bërë për të arritur efektet politike për të cilat është vënë”, ka thënë ai më tej.

Tahiri ka thënë se raportet me SHBA-në janë burimore dhe të kamotshme. Kur është pyetur për deklaratat e fundit të eksponentëve të PDK-së, që thonë se SHBA-ja nuk bën të mos dëgjohet.

“Më së paku kemi nevojë për këtë këshillë. S’ka nevojë me na tregu dikush që duhet ta dëgjojmë Amerikën. Nuk kemi lu mendsh ne me u prish me Amerikën, me mikun më të mëdhenj të shqiptarëve. Por taksa nuk ka të bëjë me Amerikën”, ka thënë Tahiri.

Komento: