Përkrahja dhe përçarja për taksën.
Vendosja e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake para më shumë se tre muajve ishte marrë në pajtim të të gjithë partnerëve të koalicionit qeverisës, të cilët madje bënin “luftë” në mes vete për merita.
Por pas presionit të shtuar nga faktori ndërkombëtar për heqjen e saj, ata janë zmbrapsur dhe kanë filluar ta kritikojnë njëri-tjetrin.
Menjëherë pasi ishte marrë vendimi për vënien e taksës ndaj produkteve serbe krerët institucionalë dhe liderët e partive të koalicionit qeverisës kishin nisur t’i përvetësonin meritat për vendosjen e tarifës prej 100 për qind, shkruan Zëri.
Por ata shumë shpejt u zmbrapsën nga përkrahja që kishin për taksën, duke kërkuar pezullimin e tarifës së vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina. Një ndryshim i tillë i qëndrimeve erdhi pas presionit të shtuar të bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), zyrtarë të së cilës pareshtur po kërkojnë suspendimin e taksës.
Pavarësisht këtyre, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj po vazhdon të deklarojë se vendimi i marrë më 21 nëntor të vitit të kaluar duhet të mbetet në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. Duke u nisur nga këto, shefi i ekzekutivit ditëve të fundit është shprehur i zhgënjyer me partnerët e koalicionit qeverisës, të cilët kanë lëvizur nga qëndrimet fillestare rreth taksës.