Taksa po i zbrazë dyqanet nga mallrat serbe

13:18 | 11 May 2019

Taksa duket se ka ndikuar shumë në pakësimin e numrit të produkteve serbe në dyqanet kosovare.

Zbatimi i taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina ka filluar të zbrazë vitrinat e dyqaneve në tregun e Kosovës me artikujt e këtyre vendeve. Ndërkohë që te disa produkte të importuara nga këto dy vende, të cilat ende mund të hasen nëpër dyqanet e Kosovës, vërehet lëvizje e çmimeve, e të disa jo.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala, tha për Radion Evropa e Lirë se në bazë të inspektimeve në treg, del se prania e sasisë së mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina është dukshëm më e vogël.

Ai thotë se mallrat nga këto dy shtete mund të hyjnë në tregun e Kosovës vetëm nëse paguajnë taksën doganore 100 për qind.

“Republika e Kosovës nuk ka vendosur masë të ndalimit të tërësishëm të importit nga këto dy vende. Në raport me produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, ne kemi vendosur taksë 100 për qind. Dhe çdo produkt që paguan këtë masë të vendosur nga Qeveria e Republikës së Kosovës lejohet të hyjë në tregun e Kosovës”, tha Shala.

Një nga dërgesat e fundit që kanë ardhur nga Bosnjë e Hercegovina në tregun e Kosovës, ka ndodhur në fillim të këtij muaji. Kompania “EuroFood” nga Prizreni ka importuar produktin “Chipsy” nga kompania” Marbo” nga Bosnja në vlerë prej 8.771 euro. Njëherësh është paguar edhe taksa 100 për qind për këtë produkt.

Hezer Shatri, menaxher i shitjes dhe marketingut në këtë kompani, në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, thotë se “taksa në vlerë prej 8.771 eurosh është paguar komplet nga ‘EuroFood-i’, çka nënkupton se çmimi i ‘Chipsy’ është ngritur”.

Shatri ka thënë se kompania është duke respektuar kontratën me furnitorin e jashtëm.

Edhe zyrtarë të Doganës së Kosovës, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se kompania në fjalë ka paguar taksën doganore prej 100 për qind.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion, ka thënë se “dy maune kanë hyrë në Kosovë, nga Dogana në pjesën veriore të Kosovës, me produkte të Bosnjë e Hercegovinës dhe kanë paguar masën mbrojtëse 100 për qind”.

Përfaqësues të Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve, pranojnë se është zvogëluar sasia e produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, por për dallim nga deklaratat e zyrtarëve shtetërorë, në këtë organizatë mendojnë se produktet nga këto shtete hyjnë në Kosovë përmes rrugëve tjera alternative, duke i ikur obligimit të taksës.

Selatin Kaçaniku, udhëheqës i kësaj shoqate, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në qendrat tregtare ka më shumë prezencë të këtyre artikujve.

“Artikuj themelor ushqimor po gjejnë mënyra për të depërtuar dhe unë nuk mund të them se është vetëm mënyra e kontrabandës nga pjesa veriore e Kosovës. Por, ne si qytetarë, konsumatorë, taksapagues, dyshojmë në kontrabadimin legal, ‘kontrabandë me letra’ . Tashmë ka artikuj që kanë gjetur vend, adresë, në Maqedoninë e Veriut dhe pastaj në tregun e Kosovës hynë si produkt i këtij shteti [ Maqedonisë së Veriut]. Ka shumë produkte që ambalazhohen në vendet tjera dhe janë të pranishme në Kosovë”, tha Kaçaniku.

Qeveria e Kosovës në muajin nëntor të vitit të kaluar ka vendosur taksë doganore qind për qind për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina.

Para vendosjes së taksës, për dy dekada radhazi, Serbia ka qenë shteti me sasinë më të madhe të mallrave në tregun e Kosovës. Brenda një dite ky shtet ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion eurosh.

Kurse vlera e mallrave të eksportuara nga Serbia në Kosovë në muajin mars, sipas të dhënave zyrtare, ishte 535 mijë euro ose mbi 17 mijë euro në ditë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ndërkaq thotë se tarifa do të mbetet në fuqi derisa shteti i Serbisë të ndryshojë qasjen karshi pavarësisë së Kosovës.

Arsyeja e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës, në fund të vitit të kaluar ishte si kundërpërgjigje ndaj politikave të Beogradit dhe Sarajevës në raport me shtetin e Kosovës.

Shala pohon se Qeveria e Kosovës duhet të mendojë edhe për masa shtesë ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, duke përmendur reciprocitetin.

“Përderisa Serbia dhe Bosnja Hercegovina vazhdojnë të sillen me Kosovën në këtë formë siç janë sjell deri më tani dhe siç po sillen, këto shtete kanë tentuar, tentojnë dhe vazhdimisht po tentojnë të dëmtojnë dhe të zhbëjnë vetë qenien e Republikës se Kosovës, masa 100 për qind duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi. Dhe njëkohësisht Qeveria e Kosovës duhet të mendojë të sillet njëjtë, apo në aspekt reciprok me secilën sjellje të cilën e merr nga Republika e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës”, tha Shala.

Ndryshe, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë tarifën doganore. Brukseli dhe Uashingtoni i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të pezullojnë tarifën doganore, në mënyrë që procesi i dialogut me Serbinë të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshjeje për normalizim të raporteve reciproke.

Që kur Kosova ka vendosur këtë taksë, Serbia është tërhequr nga bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë kësaj jave ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian që të mos e ndërlidhin vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me shfuqizimin e taksës doganore, të cilën Qeveria e Kosovës ua ka vënë importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do të ketë bisedime pa heqjen e taksës. Derisa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën.

Komento: