Tasholli për protestën e nesërme: Ftesa është për të gjithë liderët, duam t’i shohim të bashkuar

21:33 | 30 Shtator 2026

Përfaqësuesi i platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli, ka thënë se të gjithë liderët politikë janë të ftuar t’i bashkohen protestës së nesërme në Prishtinë, e cila organizohet në kundërshtim të aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Tasholli, në një intervistë në Klan Kosova, tha se thirrja për pjesëmarrje u drejtohet të gjithë qytetarëve dhe se në këtë thirrje përfshihen edhe drejtuesit e partive politike.

Ai tha se një praktikë e tillë është ndjekur edhe në marshimet e mëparshme, ndërsa theksoi se partitë politike kanë bërë thirrje që qytetarët t’u bashkohen atyre.

“Po, në përgjithësi në të gjitha marshet ne kemi bërë ftesë për të gjithë. Marshi i fundit ka qenë i dalluar që i kemi ftuar edhe me folë, me i folë masës. Kësaj here kemi bërë thirrje për të gjithë qytetarët, që nënkuptojnë edhe liderët e secilës parti se ata janë pjesë e kësaj shoqërie”, tha Tasholli.

Sipas tij, mesazhi “UÇK-ja na bashkon” duhet të reflektohet jo vetëm te qytetarët, por edhe në nivel institucional.

“Ajo që po e përsërisim, ‘UÇK-ja na bashkon’, duhet me u konkretizuar edhe në aspektin institucional, jo vetëm në aspektin qytetar. Unë e kam thënë që është një rrezik i madh nëse pushteti nuk i përgjigjet kërkesave të qytetarëve, krijohet një hendek i rrezikshëm që nuk bën me u futë asaj udhe”, deklaroi ai.

Tasholli tha se organizatorët dëshirojnë që në protestë të jenë të pranishëm përfaqësues nga i gjithë spektri politik, duke argumentuar se pasojat e aktgjykimit, sipas tij, nuk prekin një parti apo grup të caktuar, por Kosovën në tërësi.

“I kemi bërë ftesa edhe kemi qejf të gjithë me qenë aty, sepse duhet të jemi të bashkuar, sepse dëmi është për të gjithë. Nuk ka dëm për një parti politike apo për një organizatë joqeveritare apo për komunitete të caktuara, dëmi është për Kosovën”, tha Tasholli.

Ai e cilësoi pjesëmarrjen në protestë si një mënyrë përmes së cilës qytetarët mund të përcjellin mesazhin e tyre, duke theksuar rëndësinë që, sipas tij, kanë protestat në një shoqëri demokratike.

“Meqë ne jemi qytetarë të Kosovës, e kemi obligim me qenë pjesë e marshit për me çuar një mesazh të rëndësishëm. Disa po pyesin cila është rëndësia e protestës. E kam shpjeguar 5,000 herë, sepse është një kapitull aty në teorinë politike te demokracitë liberale, rolin që e ka prej polisit grek e deri sot. Mos me qenë qytetari dhe protesta, secilit pushtet i krijohet lehtësia, qoftë tash ky pushteti i Hagës, i veprimeve të papërgjegjshme”, deklaroi Tasholli.

Komento: