
Të gjithë ushtarët që ndodheshin në një aeroplan ushtarak amerikan të rrëzuar në Iran, gjithsej gjashtë, kanë vdekur, njoftoi Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane.
Shtetet e Bashkuara fillimisht thanë se i kishin lokalizuar katër prej gjashtë trupave, duke shtuar se as zjarri i armikut, as zjarri aksidental nga forcat amerikane apo aleatët nuk ishin të përfshirë në humbjen e aeroplanit KC-135 të enjten, raporton televizioni BBC.
Ky aeroplan ishte përfshirë në operacionet amerikane kundër Iranit dhe ishte njëri nga dy aeroplanët e përfshirë në incident. Tjetri aterroi në mënyrë të sigurt.
Aeroplanët e tipit KC-135, të prodhuar nga gjiganti “Boeing”, mund të rimbushin me karburant aeroplanë të tjerë gjatë fluturimit dhe luajnë rol të rëndësishëm në operacionet e ushtrisë amerikane. Ata ishin përdorur gjerësisht në Luftën e Parë të Gjirit.
Komanda Qendrore tha se incidenti ndodhi rreth orës 14:00 të enjten dhe se rrethanat e rrëzimit të aeroplanit janë duke u hetuar.
Një operacion kërkim-shpëtimi është nisur për t’i lokalizuar mbetjet e dy ushtarëve të tjerë.
Komanda Qendrore tha se identitetet e ushtarëve që e kanë humbur jetën nuk do të publikohen për 24 orë, sepse fillimisht do të njoftohen familjet e tyre.