“Të gjithë sytë kah Rafah”. Ky slogan është kthyer në 24 orët e fundit në një simbol të protestës së universiteteve në të gjithë botën. Kërkesa është gjithmonë e njëjtë: “Mos e ulni vigjilencën ndaj masakrës së vazhdueshme të civilëve në Gaza dhe vazhdoni të bëni thirrje për armëpushim”.
Ky slogan po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale që vazhdojnë të bëjnë thirrje pa pushim për një armëpushim në Rripin e Gazës. “Të gjithë sytë tek Rafah” është një ftesë për të mbajtur vëmendjen tek drama që po shpaloset në Rafah, pasi vetëm në orët e fundit sulmi izraelit shkaktoi të paktën 45 viktima në një kamp refugjatësh. Në Rafah janë strehuar mni 1.2 milionë refugjatë palestinezë dhe kjo është streha e tyre e fundit ku tashmë nuk janë më të sigurt.
Motoja “Të gjithë sytë nga Rafah” ka marrë gjithnjë e më shumë hapësirë dhe shikueshmëri në rrjetet sociale pasi u përdor edhe nga disa njerëz të famshëm që kanë zgjedhur të mbajnë qëndrim për konfliktin në Lindjen e Mesme. Edhe drejtori i OBSH-së në territoret palestineze përdori këtë shprehje për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për të mos humbur nga sytë përshkallëzimi i dhunës dhe masakrimi i civilëve në Rafah.
Edhe ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, i cilësoi imazhet e publikuara nga media pas sulmit izraelit si “thellësisht shqetësuese” dhe kërkoi që hetimi të jetë “i shpejtë, i plotë dhe transparent”. “Ne kemi nevojë urgjente për një marrëveshje për të liruar pengjet dhe për të sjellë ndihma, me një pauzë të konfliktit për të na lejuar të punojmë drejt një armëpushimi të qëndrueshëm afatgjatë”, shtoi Cameron.
Kjo foto tashmë ka mbledhur mbi 27.6 milionë ripostime në Instagram.