Të hënën pritet të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të parë në rastin e Gucatit dhe Haradinajt – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Të hënën pritet të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të parë në rastin e Gucatit dhe Haradinajt

16:26 | 14 Tetor 2021

Përmes platformës online “Zoom”, shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep, ka bërë të ditur se të hënën e ardhshme, më 18 tetor, pritet të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të parë të prokurorisë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Gjatë konferencës për media të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Lidhur me rastin e Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqi, ajo bëri të ditur se të premten e kaluar, gjyqtari i procedurës paraprake i ka dhënë urdhër Policisë së Kosovës që të sigurojë informacion mbi autoritetet dhe aftësitë e tyre për të zbatuar disa kushte lidhur me lirimin e përkohshëm dhe rastet e mëparshme të një zbatimi të tillë.

Sipas saj, ky urdhër është lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake pas vendimit të 1 tetorit nga kolegji i Gjykatës së Apelit për këtë çështje.

Ndërkaq, për rastin e Salih Mustafës, ajo ka thënë se dëshmitari i katërt dëshmoi të martën, të mërkurën dhe të enjten e kësaj jave.

Komento: