Është paralajmëruar një protestë në Prishtinë.
Pas ndalimit të lojërave të fatit sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në Seancën e mbajtur me 28.03.2019 ku janë përfshirë edhe lojërat e lotarisë, Lotaria e Kosovës e ka ndërprerë veprimtarinë e saj.
Nga ajo kohë e deri më sot nuk është marrë asnjë iniciativë për hartimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë, ashtu siç është premtuar.
Punëtorët e Lotarisë së Kosovës janë tejet të shqetësuar dhe të indinjuar me këtë neglizhencë të Institucioneve përkatëse për çka pakënaqësinë e tyre do ta shprehin edhe me anë të protestave.
Protesta do të mbahet të hënën me datë 08 korrik 2019 në ora 11:00 para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës me kërkesë të miratimit të ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe përmbushjen e obligimeve nga ana e Qeverisë si pronare e Lotarisë së Kosovës.
Protesta e paralajmëruar do të vazhdohet gjatë ditëve të punës deri në përmbushjen e kërkesave të punëtorëve të Lotarisë së Kosovës.