Forcat iraniane të sigurisë kanë vrarë të paktën 326 njerëz që nga shpërthimi i protestave mbarëkombëtare dy muaj më parë, ka vlerësuar grupi i OJQ-së iraniane për të drejtat e njeriut (IHRNGO), me bazë në Norvegji.
Kjo shifër përfshin 43 fëmijë dhe 25 gra, tha grupi në një përditësim të numrit të vdekjeve, duke thënë se numri përfaqësonte një “minimum absolut”.
Irani po përballet me një nga revoltat më të paprecedentë, pas vdekjes së Mahsa Aminit, një gruaje kurde iraniane 22-vjeçare e arrestuar nga policia e moralit, pasi dyshohet se nuk mbante hixhabin e saj siç duhet.
Zemërimi i publikut për vdekjen e saj është kombinuar me një sërë ankesash kundër regjimit shtypës të Republikës Islamike për të nxitur demonstratat, të cilat vazhdojnë pavarësisht se ligjvënësit i kërkojnë gjyqësorit të vendit që “të mos tregojë butësi” ndaj protestuesve.
Pavarësisht kërcënimit për arrestime – dhe dënime më të ashpra për të përfshirët – të famshëm dhe atletë iranianë kanë dalë përpara për të mbështetur protestat antiqeveritare në javët e fundit, raporton CNN, transmeton Klankosova .tv.
IHRNGO i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime në kohë lidhur me numrin në rritje të vdekjeve dhe ka përsëritur nevojën për të krijuar një mekanizëm për të mbajtur përgjegjës autoritetet e Republikës Islamike për shkeljen e tyre të rëndë të të drejtave të njeriut.
Që nga fillimi i protestave, vdekjet janë regjistruar në 22 provinca, sipas IHRNGO. Shumica u raportuan në provincat Sistan dhe Baluchistan, Teheran, Mazandaran, Kurdistan dhe Gilan.