Të papunët zhgënjehen nga nepotizmi dhe punësimet partiake

13:59 | 04 April 2019

Nepotizmi dhe punësimet partiake zhgënjejnë të papunët.

Muajve të fundit, partitë politike në pushtet është raportuar se kanë punësuar qindra militantë nëpër institucione e ndërmarrje publike, çka kishte nxitur reagime të ashpra nga diplomatët ndërkombëtarë në Prishtinë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Ndërmarrjet publike, ministritë dhe agjencitë e pavarura janë vendet në të cilat partitë në pushtet, po kritikohen se kanë punësuar familjarë apo anëtarë dhe militantë të partive të tyre.

Vetëm në Telekomin e Kosovës është raportuar se janë punësuar më shumë se 100 persona, duke përfshirë familjarë të deputetëve dhe zyrtarëve qeveritarë.

Këto punësime familjare dhe partiake, qofshin edhe pa konkurse dhe pa përfillje të kritereve, sipas organizatave të shoqërisë civile kanë prodhuar një situatë kur gjithsecili person që është i gatshëm për punë në Kosovë, nuk beson në trajtim të barabartë në rast të aplikimit në konkurse publike.

Dardan Abazi nga instituti INDEP, thotë se punësimet e fundit, pa kritere dhe me favorizime politike, përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut për të gjithë pjesëmarrësit në konkurse publike si dhe kanë ndikim në demoralizimin e personave të kualifikuar për punë.

“Përveç shkeljeve ligjore, kjo dërgon edhe një sinjal mjaft dërmues, në kuptim të humbjes së shpresës për qytetarët e Kosovës, sepse të gjithë ata qytetarë të cilët nuk kanë ndonjë politikan të fuqishëm në pushtet, atyre nuk u lihet hapësirë që të kenë mundësi punësimi në çfarëdo pozite në institucione apo pozitat publike të vendit”.

“Pra ky mesazh që u dërgohet qytetarëve është absolutisht dërmues dhe rruga e migrimit mbetet rruga e vetme në një situatë kur edhe sektori privat nuk ofron shumë perspektivë për qytetarët e Kosovës edhe për shkak se nuk është mjaft i zhvilluar si sektor, por edhe për shkak të shkeljes të së drejtave të punëtorëve që aty ndodhin”, tha Abazi.

Ditëve të fundit, zyrtarë të ndryshëm të institucioneve të Kosovës kanë folur publikisht, duke pranuar apo mosmohuar se u janë punësuar bashkëpartiakët apo familjarë të tyre.

Ky veprim, sipas Dardan Abazit nga INDEP, krijon një situatë ku do të duhej që të hetoheshin dhe ndëshkoheshin të gjithë individët që kanë shkelur ligjin me rastin e punësimit të militantëve dhe familjarëve të tyre.

“Kemi deklarime publike të politikanëve të cilët e pranojnë se po ndikojnë ose që do të donin të ndikonin edhe më tepër sesa që po ndikojnë, e nuk kemi asnjë institucion të drejtësisë i cili do të merren në mënyrë ‘ex officio’ të këtyre rasteve dhe me sjelljen para drejtësisë të këtyre njerëzve, të cilët nuk po ndalen me influencën e tyre politike që të punësojnë të afërm, partiakë dhe familjarë”, tha Abazi.

Mexhide Demolli – Nimani nga Lëvizja “FOL”, thotë se e tërë kjo valë e punësimeve partiake e familjare është përcjellë me shkelje ligjore.

“Punësimet e familjarëve dhe militantëve të partive politike janë edhe një dëshmi më shumë në atë që po e quajmë ‘kapja e shtetit’. Fatkeqësisht kemi një administratë të stërngarkuar me punëtorë dhe e cila në të shumtën e rasteve është edhe joefikase pikërisht nga këto punësime të cilat janë bërë pa asnjë kriter dhe me favorizime politike”.

“Në krejt këtë mes me tërë këtë valë punësimesh, me shumë shkelje ligjore madje edhe me shkelje të Kushtetutës së vendit, nuk jemi duke parë asnjë lëvizje të prokurorisë të ketë filluar ndonjë hetim në këto raste, e që fatkeqësisht janë bërë shumë ngase punësimi në bazë të lidhjeve familjare shton dyshimin edhe për korrupsion”, tha Mexhide Demolli – Nimani.

Kur folën për punësimet politike në raste të ndara, ditë më parë, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pranuan se nuk është situatë e mirë sa i takon punësimeve.

“Po habitëm me disa që e kanë krijuar këtë gjendje, që po mundohen edhe ata të na shesin moral, nuk është mirë. Plot jemi, krejt spektri politik. Kush është i politikës që nuk ka dhënë këso shembujsh në të kaluarën?”, deklaroi Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se këto raste duhet të ndalen, duke filluar nga partia e tij.

“Partia ime ka disa vite që është në pushtet, por duhet ndalur kjo praktikë që kush e ka më së afërti pushtetin t’i punësojë njerëzit e vet”, deklaroi Veseli.

Punësimet partiake dhe familjare janë kritikuar edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë.

Ambasadorin britanik në Kosovë, Ruari O’Connell kritikoi punësimet në Telekomin e Kosovës duke thënë se profesionistët po penalizohen në favor të nepotizmit.

Në anën tjetër, si pasojë e gjendjes jo të mirë ekonomike dhe mungesës së vendeve të punës, viteve të fundit një numër i madh i kosovarëve kanë emigruar drejt vendeve të Perëndimit. Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës, më shumë se 170 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova vetëm në periudhën 2013-2017.

Këto të dhëna janë bërë publike ditë më parë në një raport të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Aty thuhet se për periudhën 2013-2017 mesatarisht në vit kanë emigruar deri në 35 mijë qytetarë të Kosovës.

Trendi i emigrimit në Republikën e Kosovës, thuhet në këtë raport, ka pasur një rritje të vazhdueshme deri në vitin 2016, përderisa pas vitit 2016 emigrimi se ka shënuar rënie të konsiderueshme.

Numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë migruar nga vendi gjatë kësaj periudhe ishte viti 2015, kur nga Kosova emigruan mbi 75 mijë qytetarë, shumica prej tyre në formë të parregullt.

Derisa, në vitin në vitin 2017 emigrimi ka shënuar rënie dhe atë në rreth 12 mijë qytetarë. Pjesa më e madhe e emigrantëve për vitin 2017, ishin emigrantët të rregullt dhe arsyet ishin: bashkimi familjar, martesat, punësimi e studimi. /REL

Komento: