Të prangosurit në veri dyshohen për kontrabandë me ushqime

08:18 | 30 May 2019

Të prangosurit në veri dyshohen për kontrabandë me ushqime, me pije dhe me kafshë.

Të martën e kësaj jave u prangosen 19 zyrtarë policorë në veri të Kosovës nën dyshimin për “Kontrabandim të mallrave”, për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, për “Marrje të ryshfetit” dhe për “Tregti të ndaluar”, shkruan gazeta “Zëri”.

Pos pjesëtarëve të Policisë, në aksionin e realizuar para dy ditësh të arrestuar përfunduan edhe 11 qytetarë. Nga Prokuroria Speciale kanë thënë për gazetën “Zëri” se grupi i të prangosurve dyshohet se ka kontrabanduar mallra të ndryshme, duke nisur nga ushqimet, pijet alkoolike, joalkoolike e deri te kafshët.

Punonjësit policorë që janë arrestuar sipas Prokurorisë Speciale dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar gjatë punës së tyre, duke i ndihmuar një grupi kontrabandistësh.

Ndërkohë, si vazhdim i aksionit të së martës gjatë ditës së djeshme është arrestuar edhe një zyrtare policore (B. T.) në Zubin Potok.
Përmes një komunikate për medie Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka thënë se operacionit të së martës dhe arrestimit të djeshëm i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe i PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Komento: