Jemi në ditët e fundit kur partitë politike duhet të drëzojnë emrat e kandidatëve për deputëtë.
Dita e premte ( 6 shtator), është afati i fundit që partitë politike të dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve të tyre për deputetë të Kuvendit të Kosovës
Partitë politike janë duke përgatitur listat me emrat e kandidatëve, të cilët synojnë të zënë ulëset në Kuvendin e Kosovës.
Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, disa nga partitë politike kanë vendosur t’i bashkojnë forcat e tyre dhe në zgjedhje të garojnë me një listë të përbashkët.
Partitë të cilat kanë arritur marrëveshje parazgjedhore janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me Partinë Socialdemokrate dhe Partinë e Drejtësisë, dhe koalicioni tjetër mes Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re.
Koalicioni AAK-PSD në përgatitje të listës për deputetë. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi tha se janë dukë punuar në përpilimin e listës dhe në programin e koalicionit AAK-PSD.
“Deri më 6 shtator, kur është afati i fundit i dorëzimit të listave për deputetë do të kemi listën gati me emra të profileve të ndryshme politike e profesionale”, ka thënë Isufi.
Të njëjtën gjë e ka deklaruar edhe zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi. Për Telegrafin ajo ka thënë se lista e PSD-së me emrat e kandidateve nuk është vendosur në tërësi.
Vlen të përmendet se në marrëveshjen e arritur ndërmjet AAK-së dhe PSD-së, bartës i listës është Ramush Haradinaj.
Koalicioni NISMA-AKR, mobilizohet për zgjedhjet e 6 tetorit. Anëtari i kryesisë së Nismës, Fazli Hoxha për Telegrafin ka bërë të ditur se, lista për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës është duke u shqyrtuar nga organet e partisë.
Ai bëri të ditur se do të jetë në mesin e kandidatëve për deputetë.
“Nisma Socialdemokrate është përgatitur dhe mobilizuar për zgjedhjet e 6 tetorit si asnjëherë më parë, pasi kemi pasur angazhim të mirë të punës në qeverinë aktuale me ministritë që kemi drejtuar, gjithashtu punë të mira kemi bërë edhe në qeverisjen lokale, edhe aty ku jemi në bashkëqeverisje. Andaj Nisma do t’i ketë kandidatët më të mirë për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit. Lista për deputet është duke u shqyrtuar në organet e partisë, por ende nuk është finale dhe për momentin nuk mund të flasim me emra. Pjesë e listës për deputet do të jenë figurat kyçe të Nismës, besoj se edhe unë do të jem në dhjetëshen e parë”, ka thënë ai.
Hoxha tha se Nisma Socialdemokrate ka emra të përgatitur.
“Kuadro me profesione të ndryshme që kanë treguar rezultate të prekshme në shtet-ndërtimin e vendit, qoftë nga Forumi i Gruas dhe Forumi i Rinor i Nismës”, ka thënë ai.
Hoxha shprehu bindjen e tij se lista e Nismës për deputetë do të garantojë fitore me 6 tetor.
Gjithashtu, sekretari i përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli tha se koalicioni Nisma-AKR në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do t’ia dalë shumë mirë.
Ndërsa për listën me kandidatë, ai bëri të ditur se ende nuk ka diçka finale.
“Ne nuk kemi vendosur ende për kandidatët deri të premten është afati i fundit për dorëzimin e listave, dhe presidenti Pacolli është më punë shtetërorë jashtë vendit, ende nuk kemi vendosur, por dihet se çdo parti i ka personat, pra degët i sjellin propozimet dhe kryesia vendos pastaj.
Koalicioni duhet të dal mirë, është koalicion i qëlluar në këtë kohë, në këtë moment ka qenë i përshtatshëm të bëhet koalicioni me Nismën”, u shpreh ai.
Makolli tha se koalicioni Nisma-AKR do të kontribuojë në formimin e institucioneve. Në marrëveshjen të cilën kanë arritur Nisma dhe AKR, bartës i listë është Fatmir Limaj.
Listat me emrat e kandidatëve për deputetë nuk i kanë përfunduar as partitë politike të cilat në zgjedhje garojnë të vetme, Lidhja Demokratike e Kosovës, Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se kanë pranuar propozimet nga degët e LDK-së, mirëpo ende nuk është vendosur se cilët do të jenë kandidatët.
“Kemi pranuar propozimet nga degët e Lidhjes, tani në një mbledhje të kryesisë së LDK-së do të vendoset”, tha ai.
Ndërsa nga Vetëvendosje deklaruan se kanë bërë thirrje për aktivistë e anëtarë të LVV-së, që të dorëzojnë kandidaturat e tyre për ata që janë të interesuar të kandidojnë për deputetë.
“Që të shtunën e kemi publikuar thirrjen për aktivistët dhe anëtarët e Lëvizjes që të dorëzojnë kandidaturat e tyre, për ata që janë të interesuar të kandidojnë për deputetë të Kuvendit të Kosovës për këtë legjislaturë. Pas përfundimit të këtij afati secila qendër e jona është e obliguar që të mbledh Këshillin e Qendrës (organin më të lartë të qendrës) për të votuar numrin e kandidatëve që do të futën në listë për deputetë”, ka thënë zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.
Ai tha se pas kësaj procedure do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes ku do të votohet edhe lista përfundimtare.
“Të gjitha këto procedura demokratike Lëvizja do t’i kryej përbrenda afateve të parapara nga KQZ”, tha ai.
Listën me kandidatë për deputetë është duke e finalizuar edhe Partia Demokratike e Kosovës.
“Kryetari Veseli dhe ekipi zgjedhor janë duke punuar në finalizimin e listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e PDK-së, dhe që tani mund të ju them se kjo do të jetë lista përfaqësuese, me kompetente dhe fituese e zgjedhjeve të 6 tetori”, ka deklaruar për Telegrafin nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Ndryshe, fushata zgjedhore pritet të fillojë më 25 shtator dhe përfundon më 4 tetor, ndërsa zgjedhjet do të mbahen më 6 tetor, ditë e diele. Organizimi i këtyre zgjedhjeve buxhetit të Kosovës pritet t’i kushtojë afro 6 milionë euro.