
Tre persona janë arrestuar pas një rasti të të shtënave me armë zjarri që ka ndodhur të mërkurën mbrëma në fshatin Korenicë të Gjakovës.
Sipas Policisë, pas pranimit të një informate për të shtëna me armë, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku gjatë kontrollit të një shtëpie kanë gjetur dhe sekuestruar një armë të tipit AK-47 dhe një pistoletë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjithashtu një predhë dhe një gëzhojë, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit për veprat penale “Përdorim i armës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dy prej të dyshuarve janë dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari i tretë është liruar në procedurë të rregullt.