Teherani në alarm/ Dyqane të mbyllura dhe rrugë të zbrazëta pas urdhrit të Trump për evakuim

14:03 | 17 Qershor 2025

Situata në kryeqytetin iranian është tensionuar skajshëm pas zgjerimit të fushatës ajrore izraelite ndaj objektivave ushtarake dhe bërthamore të Iranit.

Pesë ditë pas fillimit të ofensivës, Teherani është përfshirë nga paniku, me rrugë të zbrazëta, dyqane të mbyllura dhe qytetarë që largohen nga qyteti.

Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar qytetarët iranianë të largohen menjëherë nga kryeqyteti.

Gjatë fluturimit drejt SHBA-së, Trump mohoi se po punonte për një armëpushim, duke thënë: “Nuk po shoh një armëpushim. Po shohim diçka më të mirë se një armëpushim.” Kur u pyet për arsyen e thirrjes për evakuim, ai tha: “Dua vetëm që njerëzit të jenë të sigurt.”

Më herët, ushtria izraelite kishte bërë thirrje për evakuimin e afro 330 mijë banorëve nga një lagje qendrore e Teheranit. Me një popullsi prej rreth 10 milionë banorësh, kryeqyteti iranian po përjeton një situatë të pashembullt. Shumë qytetarë janë nisur drejt veriut të vendit, kryesisht drejt rajonit të Detit Kaspik, ndërsa në dalje të qytetit janë raportuar kolona të gjata automjetesh.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka deklaruar se sulmet ndaj objektivave iraniane janë të domosdoshme për të parandaluar Teheranin të zhvillojë armë bërthamore. Objektiva të shumtë janë goditur, përfshirë qendra të pasurimit të uraniumit, laboratorë shkencorë, si dhe udhëheqës të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.

Sipas raportimeve zyrtare, nga sulmet izraelite janë vrarë të paktën 224 persona dhe janë plagosur mbi 1,270 të tjerë në Iran që nga e premtja. Në kundërpërgjigje, Irani ka lëshuar më shumë se 370 raketa dhe qindra dronë drejt territorit izraelit, duke shkaktuar 24 viktima dhe mbi 500 të plagosur. Të martën, një breshëri e re raketash u lëshua mbi Izraelin verior.

Gjendja në Teheran është tejet e tensionuar. Dyqanet janë të mbyllura, duke përfshirë edhe Pazarin e Madh të qytetit – një mbyllje e rrallë që ndodh zakonisht vetëm gjatë krizave të mëdha. Radhë të gjata janë formuar në pikat e karburantit, ndërsa nëpër qytet janë vendosur pankarta që bëjnë thirrje për “hakmarrje të ashpër ndaj Izraelit.”

Autoritetet iraniane kanë pezulluar të gjitha lejet për mjekë dhe infermierë, ndërsa deklarojnë se situata është nën kontroll. Megjithatë, nuk është dhënë asnjë udhëzim i qartë për qytetarët.

Izraeli ka pretenduar gjithashtu se ka vrarë gjeneralin Ali Shadmani – komandantin e sapoemëruar të Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya të Gardës Revolucionare. Irani ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht këtë lajm, por ka nisur zëvendësimin e udhëheqësve të vrarë të Gardës dhe ushtrisë.

Situata mbetet e brishtë, ndërsa tensionet mes dy vendeve po rriten në një nivel të rrezikshëm, me potencial për përshkallëzim të mëtejshëm rajonal./AFP

Komento: