Telekomi i Kosovës avancon anëtarin e PDK-së dhe atë të Nismës

10:16 | 31 Dhjetor 2019

Anëtari i PDK-së dhe ai i Nismës avancohen në Telekomin e Kosovës.

Ilir Loshi, anëtar i Nismës Socialdemokrate dhe Kreshnik Domi, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), janë avancuar gjatë muajit dhjetor në Telekomin e Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Burime të sigurta të Gazetës Sinjali, kanë bërë me dije se së fundmi të dy punonjësit e Telekomit të Kosovës që i takojnë dy partive politike të ndryshme janë ngritur në detyrë.

Ilir Loshi që është anëtar i Nismës dhe i afërt me Demir Limajn, vëllain e Fatmir Limajt nga zv/drejtor të Teknikës është emëruar drejtor në departamentin e Hetimeve Kundër Mashtrimeve.

Në anën tjetër në këtë muaj është avancuar edhe anëtari i PDK-së që në zgjedhjet e fundit lokale, kishte qenë kandidat për asamblist nga PDK. Përkundër që kishte dështuar të bëhet asamblist u kryeqytetit, ai me dështim nuk është përballur në Telekom të Kosovës. Aty edhe ai është avancuar.

Domi nga këshilltar i drejtorit të teknikës është emëruar drejtor i departamentit të Shitjes. Ky i fundit përveç lidhjes me PDK-në, njihet edhe për afërsinë me drejtorit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefin.

Gazeta Sinjali, ka provuar të kontaktojë me zyrën për media me Telekomin e Kosovës, lidhur me Kreshnik Domin, por të cilët nuk kanë kthyer përgjigje, tashmë si zakonisht.

Të shtunën Gazeta Sinjali raportoi për shpenzimet në vlerë 21 mijë euro për festimin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë ndeja e fundvitit e mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar Telekomit të Kosovës i kishte kushtuar 10 mijë euro.

Po ashtu Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht edhe për shpenzimet e Bedri Istrefit dhe drejtorit të Teknikës në udhëtimin e tyre zyrtar në Turqi, ku vetëm për akomodim në hotelin me pesë yje për dy net, ishin shpenzuar 800 euro.

Po ashtu kunata e Ramush Haradinajt, Vasmira, vetëm për një drekë zyrtare ku ishte konsumuar edhe oktapod, ndërsa faktuar e paguar nga buxheti kishte qenë mbi 300 euro.

Komento: