Telekomi i Kosovës me kontratë të re kolektive – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Telekomi i Kosovës me kontratë të re kolektive

15:30 | 31 Maj 2019

Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi dhe Kryetari i Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, sot nënshkruan kontratën e re kolektive.

Kjo kontratë është jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë punonjësit e Telekomit të Kosovës, pasi që nxitë ndjenjën e sigurisë, respektit dhe përgjegjësisë në punë, ngritë moralin dhe produktivitetin si dhe përcakton zgjidhjen e drejtë dhe të paanshme të mosmarrëveshjeve të mundshme në të ardhmen.

Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi u shpreh tejet i kënaqur me arritjen e kësaj marrëveshje, e cila është në interes reciprok të punonjësve dhe Telekomit të Kosovës.

“Kjo kontratë përcakton në mënyrë të qartë marrëdhëniet mes kompanisë dhe punonjësve, dhe në rastin tonë dëshmon se Telekomi i Kosovës përveç zhvillimit të aktiviteteve të zakonshme biznesore, gjithashtu i kushton rëndësi të veçantë raportit me punonjësit e vet”, theksoi Istrefi.

Kontrata kolektive krijon një kanal komunikimi shtesë, ngritë pjesëmarrjen e punonjësve në vendimmarrje dhe mundëson që çështjet e ndryshme që kanë të bëjnë me interesin e punonjësve, të zgjidhen në nivelin e bisedimeve.

Kryetari i Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj u shpreh i kënaqur me qasjen konstruktive të Kryeshefit Ekzekutiv, z. Bedri Istrefi në lidhje me realizimin e kësaj kontrate.

“Kjo kontratë kolektive është rezultat i përkushtimit dhe punës së përbashkët të sindikatës dhe menaxhmentit dhe është përpiluar në përputhje me kontratën nacionale, por, duke pasur në fokus të veçantë interesin dhe mirëqenien e punonjësve të Telekomit të Kosovës”, shtoi z. Balaj.

Kontrata kolektive është e rëndësishme edhe për shoqërinë tonë në përgjithësi, pasi që krijon klimë të favorshme e cila ndihmon në përpjekjet e përgjithshme të vendit, për zhvillim ekonomik e social.

Komento: