Telekomi i Kosovës është duke u rikthyer fuqishëm në tregun e telekomunikimeve, çdo ditë e më shumë.
Besimi që konsumatorët tanë të dikurshëm janë duke treguar për Telekomin e Kosovës është motiv për përmirësimin e mëtejmë të ofertave të shumta.
Si rezultat i shërbimeve cilësore, ditëve të fundit janë rikthyer një numër i madh i bizneseve vendore.
Për me tepër, korporata ka përshpejtuar realizimin e kërkesave të bizneseve për shërbimet dhe produktet e shumta, në kohë rekorde.
Gjatë ditës së sotme, Telekomi i Kosovës ka nënshkruar kontrata bashkëpunimi me dy biznese shumë kredibile në sferën e veprimtarisë së tyre.
Demir Limaj, Drejtor i Shitjes në Telekomin e Kosovës ka shprehur vullnetin e tij dhe gjithë menaxhmentit, për një kompani të orientuar tërësisht drejt konsumatorit.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të rikthejmë dhe të shtojmë konsumatorët e rinj në familjen tonë të madhe, dhe ky rikthim i besimit në Telekomin e Kosovës dëshmon se ne vazhdojmë të jemi lider i pamohueshëm në ofrimin e shërbimeve për të gjithë konsumatorët tanë”, ka pohuar z. Limaj.
Në anën tjetër, bizneset e rikthyera sot në Telekomin e Kosovës kanë shprehur besimin e plotë në korporatën tonë.
Drilon Brahimi nga kompania vendore “Monting SHPK” ka shprehur besimin e plotë se kontrata e nënshkruar sot është vetëm fillimi i një bashkëpunimi edhe me të madh me Telekomin e Kosovës, që vjen si rezultat i cilësisë së shërbimeve të ofruara nga kjo korporatë.
Një tjetër biznes kredibil në fushën e vet “American Clinic”, gjithashtu ia ka besuar tërë komunikimin Telekomit të Kosovës. Drejtori i kësaj klinike, Armend Vokshi ka theksuar se kujdesi dhe shërbimet e Telekomit e kanë bindur që t’i bashkohet korporatës tonë.
Telekomi i Kosovës në vazhdimësi është duke punuar në rikthimin sa më të fuqishëm në treg, duke ofruar shërbimet më të mira në vend.