Telekomi shkëput kontratën me Z-Mobile.
Telekomi i Kosovës i ka dhënë fund kontratës me Z-Mobile. Kështu ka thënë kryetarja e bordit të Telekomit, Besa Shatri-Berisha, e cila në një konferencë për media ka njoftuar zyrtarisht se Telekomi i Kosovës ka shpallur të pasuksesshme negociatat me Z-Mobilen dhe i ka dhënë fund kontratës me këtë kompani.
Shatri-Berisha ka thënë se kjo ka ndodhur pasi nuk kanë arritur një marrëveshje mbi kushtet e reja.
“Bordi i Drejtorëve njofton publikisht se pas një periudhe gjashtëmujore të negociatave palët s’kanë arrit marrëveshje mbi kushtet e reja prandaj sot kryeshefi ekzekutiv bazuar në vendimin e bordit të drejtorëve ka dërguar njoftimin zyrtar për shpalljen e pasuksesshme të negociatave dhe përfundimin e kontratës me Z-Mobile nga data 31 korrik 2019”, ka thënë ajo.
Ndërsa kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, ka thënë se negtociatat gjashtë muajshe nuk kanë qenë të sukesshme dhe për këtë arsye sipas tij ka ardhur deri tek shkëputja e kontratës.
“Dje në mbledhjen e bordit të mbajtur është marr vendim që në bashkëpunim të plotë me ekspertët ligjor dhe financiar të cilët priten me i pas gjatë gjithë procesit, në harmoni të plotë me veprimet ligjore, kemi marrë vendim që bashkarisht bordi i menaxhmentit sot gjatë ditës, që pas negociatave të pasuksesshme për gjashtë muaj që i kemi pasur, këtë kontratë të shpallim si të përfunduar dhe pa asnjë obligim kontraktual”, ka thënë ai, përcjellë Telegrafi.
Istrefi iu ka bërë thirrje konsumatorëve që të mos bien në panikë sepse shërbimet nuk do të iu ndalen.
“Iu bëjë njoftim të gjithë konsumatorëve për shërbimet dataphone që janë duke i shfrytëzuar, të mos bien në panik, të mos shqetësohen, të mos bien pre e dezinformatave. NE bashkarisht me ARKEP-in jemi duke punuar për fazën e tranzicionit e cila do të zgjas nga 30 deri në 120 ditë. Kështu që konsumatorët që i kanë shërbimet e tyre nuk do të iu ndërpriten në asnjë moment në asnjë rrethan deri në përfundimin e fazës së tranzicionit”, ka theksuar ai.