Po kërkohet ndihmë që Telekomi të dalë nga kriza.
Ditë më parë, Telekomi është dërguar te përmbaruesi nga kompania “Z-mobile”, për shkak të borxhit prej 25 milionë eurosh.
Moskryerja e pagesës, në bazë të vendimit për urdhër përmbarimor, obligon të ekzekutohet përmbarimi i dhunshëm, e që nënkupton bllokimin e llogarive bankare, raporton KTV.
Për daljen e Telekomit nga kjo gjendje, njohës të ekonomisë dhe Sindikata e punëtorëve të PTK-së, janë duke kërkuar ndihmë nga Qeveria.
Sipas tyre, është koha që Ekzekutivi ta ndihmojë Telekomin, i cili, siç thonë ata, për vite me radhë ka derdhur me miliona euro në buxhetin e shtetit.
Kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit, Lahmi Balaj, në një përgjigje me shkrim për Kohavisionin, ka kërkuar që kontrata mes Telekomit dhe Z-mobile-it të hetohet nga Prokuroria.
Balaj, pas datës 30 korrik, ka paralajmëruar edhe greva, duke ndaluar kështu dhënien e shërbimeve për konsumatorët.
“Ne besojmë fuqishëm që Qeveria, edhe pas dorëheqjes, ka mandat për ta zgjedhur këtë skandal të kontratës famëkeqe Telekom-Z-Mobile. Sindikata, bashkë me punëtorët, e përkrah vendimin e Bordit dhe kryeshefit për mosvazhdimin e kësaj kontrate, pasi që tash janë raportet zyrtare për dëmet e shkaktuara nga Z-mobile”, ka thënë Balaj.
Për këtë çështje, Kohavisioni, gjatë ditës, ka provuar të marrë përgjigje nga ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, por i njëjti nuk ka pranuar të flasë për çështjen në fjalë.