Nga Telekomi i Kosovës thonë se vitin që po lëmë pas ka qenë sfidues për ta dhe se korporata përgjatë vitit 2020 është ballafaquar me vështirësi.
Në gjithë këtë mes përfshihet situata me pandeminë COVID-19, ku sipas komunikatës nga Telekom thuhet se janë shkaktuar humbje të mëdha financiare, përkatësisht i të hyrave.
“Viti 2020 vërtetë ka qenë vit sfidues për Telekomin e Kosovës, korporata përgjatë vitit është ballafaquar me shumë vështirësi duke përfshirë pandeminë që ka shkaktuar humbje të mëdha financiare, përkatësisht në rënien e të hyrave si dhe kemi perfomuar me staf esencial”, thuhet në komunikatën për media.
Veç këtyre Telekomi i Kosovës gjatë 2020-ës u përballë edhe me kontekste gjyqësore, arbitrazhet e bllokim të llogarive bankare.
“Moment tjetër sfidues, që ka përcjellë Telekomin e Kosovës në këtë vit, ndërlidhen me kontestet gjyqësore, Arbitrazhet, bllokimi i llogarive bankare dhe tërheqja e mjeteve financiare të Telekomit të Kosovës për shkak të inicimit të procedurave përmbarimore”, thuhet mes tjerash në komunikatën nga Telekom.
E përkundër gjithë këtyre sfidave nga Telekom thonë se kanë arritur që t’i përmbushin kriteret e rekomanduara në standarde të korporatës.
“Përkundër gjithë këtyre sfidave e vështirësive që vërtetë kanë kanosur operimin dhe funksionet e korporatës, Telekomi i Kosovës ka vazhduar të përmbush kriteret e rekomanduara në standardet ndërkombëtare duke ofruar shërbime të pandërprera të komunikimeve elektronike për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe gjithë përdoruesit e Telekomit të Kosovës”, vazhdohet tutje në komunikatë.
Mes tjerash Telekomi ka renditur edhe të arriturat e saj përgjatë vitit 2020-të.
“Si aktivitete me rëndësi dhe të arritura të Telekomit të Kosovës përgjatë vitit 2020, pa asnjë dyshim mund të parashtrohet momenti i ruajtjes së Integritetit dhe sigurisë së shërbimeve mobile dhe fikse, që ofrohen nga infrastruktura e integruar telekomunikuese e Telekomit të Kosovës, zvogëlimi i shpenzimeve operative, përkatësisht të zvogëlimit të pagave deri në 60 % që kanë mundësuar kursim vjetor, zvogëlimin e qirave të nyjeve të qasjes dhe të pikave të shitjes. Bordi dhe menaxhmenti kanë hartuar planin e rimëkëmbjes së korporatës, planin e detajuar për investime strategjike, qoftë përmes kredimit qoftë përmes ndihmës së aksionarit, qeverisë së vendit. Ky plan i rimëkëmbjes ka paraparë investime milionëshe në infrastrukturën e Telekomit me qëllim të rritjes së cilësisë së shërbimeve tona, ruajtjen dhe rritjes së numrit të konsumatorëve si dhe rritjen e vlerës së korporatës. Me gjithë këto sfida veprimet e ndërmarra nga menaxhmenti aktual dhe bordi i përkohshëm kanë bërë që të ruhet stabiliteti financiar i korporatës, të paguhen borxhe të mbledhura ndër vite. Angazhimi i gjithë punonjëseve të Telekomit të Kosovës do të jetë edhe më i madh në vitin 2021 dhe me këtë përveç tjerash synohet që kompanisë tonë e cila ndër vite ka qenë element kyç në zhvillimin ekonomik t’i rikthehet krenaria”, thuhet në një komunikatë nga Telekom.