Telenovela e autostradës së Gjilanit

08:20 | 17 Gusht 2023
telenovela-e-autostrades-se-gjilanit


Hapin e parë për ndërtimin e autostradës së Gjilanit e kishte hedhur kryeministri Isa Mustafa, më 2017. Ky u kishte dhënë kontratë rreth 100 milionë euro disa operatorëve ekonomikë.

Kompanitë kontraktuese të Mustafës i ndërroi me të ardhë në pushtet, Ramush Haradinaj.

Kjo meqë tenderi shkoi në rivlerësim dhe pas ankesave që bënë kompanitë nën pretendimin për shkelje të ligjit. Edhe ujditë e Haradinajt për këtë projekt u përcollën me dyshime të mëdha korrupsioni.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Betim Reçicës dhe tre zyrtarëve të tjerë lidhur me Autostradën e Gjilanit.

Punimet e autostradës ishin paraparë të kryeheshin për 2 vjet.

Nga 2017-a deri më 2023, kanë kaluar plot 6 vjet e janë ndërruar shumë qeveri, raporton “Front Online”.

Megjithatë, ajo që dihet është se auto-udha nuk është përuruar ende.

Kryeministri Albin Kurti premton se hapja bëhet këtë vit.

Sipas tij, kanë përfunduar mbi 70% të punimeve.

“Kanë përfunduar mbi 70% të punimeve. I vizituam tre llotet. Llotin e parë në gjatësinë mbi 4.8 km, llotin e dytë 2.5 km dhe llotin e tretë 2.2 km, me ç’rast e pamë edhe punën që po bëhet për nënkalimin ndërmjet llotit të parë dhe llotit të dytë që në këtë mënyrë do të mundësojë edhe lidhjen e fshatrave Smallushë dhe Sllovi që të kenë gjithashtu qasje. Gjithsej kjo pjesë do të ketë gjatësinë prej 22.8 km, prej Banullës në Lipjan te Bresalci në Gjilan”, u shpreh kryeministri.

Punimet në autoudhën Prishtinë – Gjilan janë të kontraktuara me 8 operatorë ekonomikë ose një operator ekonomik është punëkryes në një lot, kur dihet se ky segment rrugor është i ndarë në 8 lote.

Komento: