Numri i pacientëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore është rritur javën e fundit.
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë brenda 24 orëve po trajtohen deri në 400 raste.
Kështu ka bërë të ditur për Front Online, doktoresha e kësaj qendre, Drita Peqani.
Ajo ka treguar se në shtimin e rasteve po ndikojnë temperaturat e larta.
“Numri i pacientëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare është rritur javën e fundit për shkak të temperaturave të larta që po dominojnë. Brenda 24 orëve në qendrën e mjekësisë ku unë punojë, numri i pacientëve arrin 300-400 e shpeshherë edhe më i lartë”, tha ajo për Front Online.
Ky numër i lartë i pacientëve, sipas Peqanit, ka ardhur si pasojë e ndryshimit të temperaturave, jashtë dhe brenda.
“Ndryshimi i temperaturës nga jashtë në brenda ku jemi me kondicionerë, kështu që kjo vjen për shkak të temperaturave të larta”, tha ajo.
Peqani thotë se personat me imunitet të dobët janë më së shumti të prekur nga kjo ftohje.
“Të prekur janë personat me imunitet më të dobësuar, me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël, moshat e shtyra e kështu me radhë”, deklaroi për Front Online doktoresha Peqani.
Anipse numri i lartë i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, Peqani thotë se nuk kanë mungesë të stafit dhe se menaxhimi është i mirë.
“Ka kapacitete, menaxhimi është i mirë, kështu që po arrijmë me menaxhu shumë mirë edhe përkundër rritjes së numrit të pacientëve”, tha ajo për Front Online.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, moti me këto temperatura tipike verore është si rezultat i ardhjes së masave të nxehta të ajrit nga Afrika Veriore.
Nga ky institut kanë bërë apel që gjatë këtyre ditëve të nxehta të iu shmangen rrezeve të diellit.
“Shkalla e lartë e avullimeve do të krijoj vapë dhe ndjesia e këtyre temperaturave do të jetë më e lartë se sa vlerat e lartshënuara. Meqë indeksi UV do të jetë shum i lartë ,rekomandohet që të kufizohemi sa më shum nga rrezet e diellit, nga ora 10-17,sidomos personat me sëmundje kronike, hipertension , diabetikët, asmatikët etje, të bartim syze mbrojtëse nga rrezet e diellit, ombrellë, rroba me ngjyra të lehta, krema adekuate për mbrojtjen e lëkurës, pastaj të pijmë ujë sa më shpesh, jo lëngje të gazuara, të konsumojmë pemë e perime dhe ushqim me sa më pak yndyrë”, thuhet në njoftimin e IHMK-së./FrontOnline