Erik ten Hag insistoi në konferencën për shtyp para klasikes me Liverpoolin që nuk i druhet së ardhmes së tij dhe që gëzon mbështetjen e plotë të Manchester United.
E ardhmja e holandezit është vënë shpesh në diskutim në këtë sezon, teksa “Djajtë e Kuq” kanë humbur 12 nga 24 ndeshjet që kanë zhvilluar në të gjitha kompeticionet.
”Kam mbështetjen e plotë të klubit. Por, për momentin, jam i fokusuar që të përmirësoj skuadrën, t’i bëj lojtarët që të luajnë më mirë. Ky është shqetësimi im. Në sezonin e kaluar ishim në drejtimin e duhur, por në këtë sezon nuk kemi qenë në nivelin e duhur,” u shpreh Ten Hag.
Ish-trajneri i Ajaxit shtoi se lojtarët e tij do të udhëtojnë drejt “Anfield Road” pa kujtimin e humbjes 7-0 në sezonin e kaluar.
“Ndeshja në sezonin e fundit ishte një eksperiencë negative. Sfidën e edicionit të kaluar e nisëm shumë mirë dhe bëmë një pjesë të parë pozitive. Do të luajmë me vetëbesim nga minuta e parë, nuk frikësohemi aspak. Do të luajmë për të fituar. Liverpooli po luan mirë së fundmi dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Atmosfera në Anfield? Lojtarët janë mësuar të luajnë në një atmosferë të tillë dhe të dielën do të jetë sfida e radhës” përmbylli tekniku holandez.
Liverpool-Manchester United do të zhvillohet të dielën, në orën 17:30.