“Tensionet janë ende të larta”, Lajçak për vizitën e tij në Prishtinë dhe Beograd

12:28 | 12 June 2023

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka folur për vizitën e tij të javës së kaluar në Prishtinë e Beograd, së bashku me të dërguarin e posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Emisari evropian rreth vizitave të tij ka thënë se ka shpresuar më shumë, dhe se rreth rezultateve do t’i raportojë vendeve të Bashkimit Evropian.

“Pas disa ditësh në rrugë jam kthyer në Brukselin me diell. Këtë javë, vizitova Prishtinën dhe Beogradin së bashku me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së dhe të dërguarin e Ballkanit Perëndimor Gabriel Escobar. Udhëtuam në rajon me qëllim që të adresojmë situatën e tensionuar në veri të Kosovës të cilën e kemi parë të gjithë gjatë javës së fundit dhe të eksplorojmë potencialin për një zgjidhje politike”, ka shkruar Lajçak në një postim në Facebook, teksa ka theksuar se tensionet ende janë të larta.

“Escobar dhe unë kemi shpresuar për më shumë si rezultat i misionit tonë, por fatkeqësisht, pavarësisht disa sinjaleve pozitive, tensionet janë ende të larta”, ka shtuar tutje ai në postimin e bërë.

Gjithashtu, ai ka folur edhe për takimin që ka pasur me dy krerët e shtetit, Osmanin dhe Kurtin gjatë vizitës në Prishtinë, ndërsa ka thënë se u ka përsëritur atyre kërkesat e BE-së dhe ShBA-së.

“Në Kosovë u takuam me lidershipin më të lartë duke përfshirë presidentin Osmani, kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Bislimi. Diskutimi ynë ishte i gjatë. Ne përcollëm shqetësimet tona për situatën në veri dhe theksuam nevojën për deeskalim të menjëhershëm. Ne ripërsëritëm atë që BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga palët të bëjnë kur bëjnë thirrje për një zgjidhje politike: deeskalim të menjëhershëm, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në Dialog për normalizim”.

“Ne kontaktuam edhe liderët e opozitës shqiptare të Kosovës, duke shpjeguar pasojat e krizës aktuale dhe dëmin që ajo shkakton në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. Ne u kërkuam atyre mbështetjen e tyre për një zgjidhje politike për të zbutur tensionet”.

Komento: