Situata në veri të vendin nuk është stabile.
Dy sulme që ndodhën gjatë natës së kaluar në veri të vendit teksa po vazhdon protesa e serbëve në ditën e gjashtë pas vendosje së masës së reciprocitetit ndaj targave ka ngjallur shumë reagime.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do t’ju adresohen qytetarëve në ora 16:00, njofton Klankosova.tv.
Kurti gjatë ditës nëpërmjet një reagimi në rrjetin social Facebook vlerësoi se sulmet në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe në Zveçan janë veprime të nxitura nga Serbia.
“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”.
Tutje Kurti u bën thirrje të gjithë qytetarëve në veri pavarësisht nacionalitetit që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.
“Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.
Ndërsa ministri Sveçla tha se këto janë akte kriminal me elemente terroriste, njofton Klankosova.tv.
“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri.” shkroi Sveçla në një postim në Facebook.
Ai tutje ftoi qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe të mos dirigjohen apo manipulohen, sipas tij, nga ata që mbijetojnë politikisht vetëm falë tensioneve.