Edhe e para e shtetit, Vjosa Osmani ka reaguar pas gjendjes së fundit në veri.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas djegies së qendrës së regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok dhe sulmin me bombë në të njëjtin institucion në Zveçan. Osmani thotë se akte të tilla janë tregues se regjimi hegjemonist i Vuçiqit është burimi kryesor i destabilizimit të rajonit.
Presidentja Osmani thotë se përmes destabilizimit të rajonit, Vuçiq dhe Serbia po synojnë zhbërjen e arritjeve amerikane e evropiane në Kosovë dhe rajon.
“Sulmet e fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia janë dëshmia kryesore për atë që po e themi që moti: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuqiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, i cili po synon zhbërjen e arritjeve të aleatëve tanë amerikanë dhe evropian në Kosovë e rajon”, ka shkruar Osmani.
“Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-në, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje de Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet baltike: Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e “botës serbe”, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi”, ka shtuar tutje.
“Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti serbët e Kosovës që të jenë të bashkuar në refuzimin e skenarëve ogurzi të Serbisë. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë pranë tyre duke ofruar mbështetje dhe siguri nga strukturat kriminale dhe ilegale të Serbisë”, ka përfunduar presidentja e Republikës së Kosovës.