Rasti i Azem Kurtajt, pjesëtarit të FSK’së, që të premten e kaluar plagosi dy të rinj të nacionalitetit serb në Shtërpcë, po vazhdon të debatohet edhe pse Gjykata Themelore në Ferizaj ia caktoi një muaj paraburgim për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentative”.
Por, mbrojtja e tij po konsideron se vendimi ndaj Kurtajt është marrë nën ndikimin e presionit publik. Avokati Kujtim Kërveshi tha se rastit iu dha karakter ndëretnik pa kurrëfarë nevoje. Ai përmendi po ashtu edhe deklaratat e prindërëve të njërit prej të plagosurve si dëshmi se i dyshuari është vetëmbrojtur.
Plagosja e dy të rinjve serbë, të premten, që ishin duke bartur pemë të Krishtlindjes në Shtërpce vetëm disa ditë pas ngjarjeve në Veri shkaktoi reagime të shumta.
Ndonëse Policia reagoi shumë shpejt duke e arrestuar të dyshuarin, reagimet që dënonin sulmin vazhduan të premten deri në orët e vona. Shumëkush i dha konotacion ndëretnik.
Prokuria të nesërmen e ngjarjes rastin e kualifikoi si tentim vrasje të rëndë ndërsa gjykata mori vendim që Kurtajt t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Por, me këtë kualifikim dhe vendim të Gjykatës nuk po pajtohet avokati Kërveshi, i cili duke komentuar krejt atmosferën që ndërlidhet me rastin, tha se Kosova i dha vetës gola kur atë që ndodhi në Shtërpcë e ngjyrosi si sulm etnik.
Kërveshi, nga ekipi mbrojtës i pjesëtarit të FSK-së Azem Kurtaj insiston se vendimi për caktimin e paraburgimit u bë nën presion. Ai theksoi se autoritetet i dhanë gola vetës, duke ia dhënë këtij rasti ngjyrën e një sulmi etnik pa kurrëfarë nevoje dhe pa dëshmi. Avokati Kujtim Kërveshi i ftuar në “Frontal” në T7, foli edhe për ndërrimin e deklaratës së nënës së njërit djalë të plagosur, e cila fillimisht u shpreh për një media serbe se nuk ka qenë qëllimi të goditen personat, por pasi rasti u kualifikua në prokurori si “vrasje në tentative” ajo deklaroi se qëllimi ishte të vriteshin fëmijët e saj.
Gjatë bisedës në “Frontal”, avokati Kujtim Kërveshi tha se ky rast s’ka pasur motive etnike ashtu siç autoritetet u nxituan ta cilësojnë. Ai rithekson se ky ishte rast vetëmbrojtje.
“Sa i përket kërkesës së prokurorisë, ka një lloj shpërputhje faktike dhe fizike me realitetin se si prokuroria pretendon me argumentu rrjedhjen e ngjarjes. Kam besu edhe para se mu kyç ne këtë rast se diçka nuk është në rregull me përshkrimin faktik që ishte bërë në publik, fillimisht nga komunikimet në deklaratat e policisë e pastaj nga informacionet zyrtare dhe jozyrtare. Në këtë rast nuk është normale me dështu autoritetet e Republikës së Kosovës para një situate që ka mundur të eskalojë në çështje të sigurisë. Nuk është normale që autoritetet zyrtare të japin konkludime duke nxitu kush i pari po etiketon një qytetar të vetin. Mësimi i parë që është dashtë mu nxjerr është që kjo çështje dukej haptas që ska të bëjë me motive etnike, nuk e di se për çfarë arsye autoritetet kanë nxitu me i dhanë kësi lloj atributi një fenomeni që për mendimin tim është. Është thjesht një rast i një vetmbrojtje”, tha Kërveshi në T7, transmeton Gazeta Express.
Avokati Kujtim Kërveshi foli edhe për ndërrimin e deklaratës së nënës së njërit prej të dëmtuarve dhe presionin që iu bë autoriteteve të drejtësisë, kur në kohën kur mbahej seanca për caktimin e paraburgimit në Shtërpcë ishte organizuar protestë.
Ai tha se nëna e të plagosurit ndërroi skenarin brenda 48 orësh.
“Natën e incidentit njëra e një të dëmtuarit, por edhe babai. Babai tha se nuk e di se cilin ta fajësojë dhe këtë nuk e tha në mediat tona, në të cilën tha se nuk është shtie – nuk është qitë në drejtim të fëmijëve por në drejtim të asfaltit dhe aty nisi me u kuptu që nëna e njërit të dëmtuar kishte kuptuar nga të tjerët nga vendi i ngjarjes që s’ka pas qëllim askush t’i goditë ata me predhë drejtpërdrejt. Tash këtë duhet me lidhë më kualifikimin që e ka dhënë prokuroria…. Bash në kohën kur mbahej gjykimi për caktimin e masës së paraburgimit mbahej një demonstratë në Shtërpcë, janë sinkronizu edhe veprimet, nuk ka ndryshe si me u vendos sistemi ynë para presionit sesa në kohën kur gjykata mban seancë në të njëjtën kohë bëhen organizime me motive etnike. Presion është drejtpërdrejt në vendimmarrjen e autoriteteve. Pasi u bë kualifikimi vrasje në tentativë për më pak se 48 orë nëna thotë jam e bindun që kanë pas qëllim me mi vra fëmijët. Ka ksi lloj diskrepence në deklarim”, u shpreh Kërveshi.
Ai tha se kjo situatë e shpërfaq ndërhyrjen e personave të cilët kanë interes që Republikën e Kosovës ta vënë para një testi të rrezikut të Kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në këtë vend.
Sipas Kerveshit Azem Kurtaj ka gjuajtur njëherë në ajër e njëherë në drejtim të asfaltit për ta shpërndarë turmën që kishin mjete të forta në duar, drunj të gjatë rreth 3 metra.
“Prokuroria kualifikimin e ka të vrasjes së rëndë në tentativë, këtë duhet me argumentu me dashjen direkte por në pamundësi për ta privuar dikë nga jeta merr veprime me qëllim por rezultati nuk arrihet. A mendojnë qytetarët, hetuesit dhe prokuroria e gjyqtarët se një ushtarak i përgatitur i stërvitur po të kishte dashtë me qitë për ta privuar dikë nga jeta, nuk kishte pas mundësi me privu nga ajo distancë a? Është qitë njëherë në ajër, herën e dytë në drejtim të tokës. Nuk mund të ketë vrasje në tentativë kur dikush qet për ta shpërnda turmën që ka pas dhe është shfaq një rrezik i vërtetë kemi parë edhe fotografi, nëse prokuroria i lidh me ngjarjen konkrete nuk bëhet fjalë për fëmijë ata janë persona të rritur dhe kanë sende të forta në dorë, dikush pankarta e dikush një dru më të madh se 3 metra gjatësi. Unë nuk arrij me kuptu si institucionet e Kosovës i japin vrull vetës, nga një incident kur dikush nga organizimi me qëllim ose pa qëllim mendon që ka tagrin e drejtësisë mi vu dikujt pengesa në lëvizje me rreziku jetën e dikujt ne kthehemi në anën e kundërt tash që atë që ka dasht me heq rrezikun nga vetja e ngarkojmë me diçka si vrasje në tentaivë”, u shpreh avokati.
Ai shprehet se faktet thonë se ai nuk ka goditur në drejtimin e tyre.
VIDEO E PLOTË E FRONTAL KËTU
Gjithashtu ka edhe kritika për ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla duke theksuar se i njëjti ia dha “vulën e fajtorit një qytetari të Republikës së Kosovës”.
“Autoritetet tona e dhanë ngjyrën e një sulmi etnik kombëtarë pa kurfarë nevoje, pa kurfarë dëshmie e arsye. E futën në atribute të një sulmi mbi baza të motiviit kmbëtar, a e dini cfarë pasojë i sjellë Republikës së Kosovës, kur i pari i ekzekutivit pa një pa dy vrapon mi dhanë gol vetës”, shprehet ai.
Gazeta Express, të hënën raportoi se mbrojtja e pjesëtarit të FSK-së, Naim Ferati, brenda afatit ligjor do të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit për të rrëzuar vendimin e shkallës së parë, i cili e la Azem Kurtajn në paraburgim për një muaj. Në njoftimin e gjykatës u tha se pjesëtari i FSK-së ka shtënë në drejtim të dy vëllezërve, por avokati tha se ai ka shtënë në tokë dhe jo në drejtim të tyre.
Ai tha se turma e ka sulmuar atë dhe klienti i tij ka qenë shumë real dhe i sinqert në deklarimet e tij.
“Ata e kanë sulmu në veturën që ka qenë ky, ka qenë i rrethuar dhe i bllokuar”.
Azem Kurtaj u la në paraburgim nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale, si: “vrasja e rëndë në tentativë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 28; përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 paragrafi 1; shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.