Tërheqja e mjeteve të Trustit nga ana e qytetarëve po shihet si një mundësi për përballimin e rritjes së çmimeve.
Nga ky institucion janë pyetur lidhur me atë se a është i gatshëm për këtë proces në rast se miratohet nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Zëdhënësi i Trustit Jeton Demi, tha se Fondi i Kursimeve Pensionale, e ka për mandat t’i adiministrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale deri në pensionimin e kontribuuesve.
“Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e ka për mandat t’i adiministrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale deri në pensionimin e kontribuuesve. Ky mandat nënkupton zbatimin e kornizës ligjore në fuqi, e cila buron nga institucionet përgjegjëse. Pra, rrjedhimisht, ne mund të deklarojmë vlerësimet tona vetëm në kuadër të mandatit tonë institucional”.
Lidhur me këtë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu, më datën 9 mars ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.
Ai këtë e ka konfirmuar për Klankosova. tv.
“Unë nismën për tërheqjen e Trustit deri në 30 për qind e kam dorëzuar më 09 mars në kuvend në formën e projektligjit”.
Haxhiu pati propozuar që qytetarët të kenë mundësi të tërheqin deri në 30 për qind të kursimeve të tyre.