Tërhiqet BE-ja, ja çka thotë tani për rastin e Trepçës – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Tërhiqet BE-ja, ja çka thotë tani për rastin e Trepçës

10:28 | 06 Shkurt 2019

Rasti i Trepçës ka nxitur sërish reagimin e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Europian e bëri të qartë se agjenda e bisedimeve Prishtinë-Beograd përcaktohet nga vet palët.
Maja Koçijançiç, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, tha se ndërmjetësuesi i bisedimeve nuk ndërhyn në temat që sjellin palët në tryezë.

Kocijancic në një përgjigje për “Tanjug”, pati thënë se të gjitha çështjet e pazgjidhura ndërmjet dy shteteve duhet të zgjidhen vetëm nëpërmjet dialogut, kështu duke përmendur edhe çështjen e Trepçës, për të cilën tha për të duhet të ketë marrëveshje në Bruksel.

Të martën, mediet serbe e cituan atë të pohonte se çështja e ndërmarrjes së Trepçës, një kompleks minierash në Kosovë, duhet të përfshihet në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Një gjë e tillë shkaktoi reagime të ashpra në Kosovë, duke nisur nga vet kryeministri Ramush Haradinaj.

“Trepça nuk është çështje e hapur dhe në asnjë moment, populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false, që kanë qartazi për qëllim ndarjen e Kosovës”, ishte komenti i tij.

Në përgjigjen me shkrim, dhënë “Zërit të Amerikës”, Koçijançiç theksoi se BE-ja nuk i komenton çështjet që palët duan të diskutojnë.

“Ata i sjellin në tryezë çështjet, të cilat i konsiderojnë të hapura, e pastaj vendosin nëse duhet të flasin për to, në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme”, u shpreh Koçijançiç.

Për Serbinë, çështja e Trepçës nuk është e zgjidhur ende, ndërsa për Prishtinën zyrtare ajo ka marrë fund në vitin 2016, kur Kuvendi miratoi ligjin e Trepçës, që e shndërron atë në një ndërmarrje me shumicën e aksioneve shtetërore.

Komento: