Tërmet i fuqishëm, shënohet viktima e parë, është një vajzë 12 vjeçare

15:41 | 29 December 2020

Shënohet viktima e parë e tërmetit, një vajzë 12 vjeçare.

Zyrtarët kroatë kanë konfirmuar se një fëmijë ka vdekur dhe shumë persona të tjerë janë lënduar nga tërmeti prej 6.4 shkallësh që e goditi Kroacinë qendrore të martën.

Pjesëtarët e ekipeve të shpëtimit po mundohen që t’i largojnë rrënojat për të kërkuar për persona të ngujuar, ndërsa në ndihmë u ka dalë edhe ushtria, shkruan Reuters.

Tomislav Fabijaniq, shef i shërbimeve urgjente mjekësore në Sisak, tha se shumë persona janë lënduar në Petrinja dhe Sisak. “Ka thyerje, tronditje, ndërsa disa kanë nevojë për operacione”, tha ai.

Kryeministri Andrej Plenkoviq shkoi në qytezën që u godit nga tërmeti dhe nga ai vend deklaroi: “Kemi informata se një vajzë është vrarë. Nuk kemi informata të tjera për pasoja në njerëz”.

Televizioni N1 citoi një zyrtar lokal të ketë thënë se viktima është një vajzë 12 vjeçe, por nuk u dhanë hollësitë të tjera.

Ky televizion gjithashtu raportoi se një çerdhe fëmijësh është shkatërruar nga tërmeti, por fatmirësisht brenda saj nuk ka pasur fëmijë në kohën e dridhjes. Raportohet se situata është e rëndë edhe në shtëpitë për kujdesin ndaj të moshuarve.

Një punëtor që ishte duke e rregulluar kulmin e një shtëpie në një fshat afër qytezës Petrinja tha se tërmeti e hodhi në tokë. Sipas tij, nëntë nga dhjetë shtëpitë e fshatit janë shkatërruar.

Komento: