Tërmet shkatërrues në Filipine, ka të vdekur

13:00 | 15 December 2019

Një tërmet I fuqishëm ka goditur sot Filipinet.

Zyrtarët filipinas njoftuan se një fëmijë ka vdekur, disa persona janë lënduar dhe shumë ndërtesa janë dëmtuar nga tërmeti prej 6.8 ballësh që e goditi qytetin jugor, Davao.

Anthony Allada, zyrtar për informim publik, tha se 14 persona janë lënduar nga tërmeti, por asnjëri prej tyre nuk është i lënduar rëndë. Ai shtoi se nga dridhjet janë dëmtuar disa rrugë dhe ndërtesa, përfshirë ndërtesën e qeverisë lokale.

Ky rajon është goditur disa herë nga tërmetet në muajt e fundit. Pavarësisht fuqisë së dridhjes, autoritetet nuk kanë lëshuar alarm për cunami.

Epiqendra e këtij tërmeti të fuqishëm ishte 61 kilometra në jugperëndim të qytetit Davao, në ishullin Mindanao, ndërsa thellësia e tij ishte 28 kilometra nën sipërfaqen e tokës.

Qendra Paralajmëruese e Cunameve në Paqësor tha se, mbështetur në të dhënat e tanishme, nuk ekziston ndonjë rrezik për cunami.

Ky rajon u godit nga tri tërmete në tetor dhe një tjetër në nëntor, me ç’rast mbetën të vdekur së paku pesë persona.

Filipinet shtrihen në të ashtuquajturën “unazë e zjarrtë” e Paqësorit, e cila është rajoni me aktivitetin më të lartë sizmik në planet, prandaj goditen shpesh nga tërmetet, shkruan “Reuters”.

Komento: