Tërmete të fuqishme, a është Kosova në rrezik?

21:47 | 31 July 2019

A po rrezikohet Kosova nga tërmetet!?

Rajoni i Ballkanit është përfshirë nga një numër i lëkundjeve të tokës javën e fundit.

Greqia është goditur nga disa tërmete këto ditë, derisa i fundit ishte para dy ditëve me shkallë 3.9 të Rihterit sipas Stacionit Sizmologjik të AUTH.

Por, sot tërmet ka pasur edhe në Shqipëri, saktësisht në qytetin e Korçës. Është raportuar se sipas matjeve, tërmeti ka qenë me magnitudë 4.4, me qendër 10 kilometra në jugperëndim të Bilishtit.

Ekspertë të Seizmologjisë kanë parashikuar se këto nuk janë lëkundjet e fundit që po ndodhin në rajon.

Ata kanë parashikuar se lëkundje të tilla mund të përfshijnë gjithë rajonin e Ballkanit dhe të gjitha shtetet që i përkasin këtij rajoni si pasojë e lëkundjeve të pllakave tektonike.

Lajmi.net ka kontaktuar me drejtorin e Përgjithshëm të Menaxhimit të Emergjencave, Fadil Kodra, për të diskutuar në lidhje me këtë temë.

Kodra ka treguar për lajmi.net se fatkeqësitë nuk janë të parashikueshme dhe nuk dihet nëse Kosova mund të goditet nga ndonjë tërmet.

“Kështu, realisht fatkeqësitë janë të paparashikueshme, po ndodhin edhe në Greqi dhe Shqipëri, por nuk dihet nëse mund të ndodhin”, tha Kodra për lajmi.net,

Më tutje, Kodra është shprehur se drejtoria e tij është e gatshme për emergjenca.

“Ne jemi të gatshëm si emergjenca. Jemi në kontakt edhe me qendrën sizmologjike, por nuk kemi parashikime sepse janë të paparashikueshme, mund të supozohet por nuk dihet asgjë”, tha Kodra për lajmi.net.

Sipas tij, kapacitetet e drejtorisë së tij janë të mjaftueshme për t’i dalë në ndihmë qytetarëve në raste të tilla.

“Ne në bazë të parashikimeve, ne e kemi gatishmërinë në rast se ndodh diçka – duke u bazuar në kapacitete tona t’i dalim në ndihmë edhe qytetarëve”, tha Kodra për lajmi.net.

Historikisht, Kosova nuk është vend i cili goditet shpesh nga tërmetet. Territori i Kosovës, gjatë periudhës mbi 500 vjeçare, 1456 – 2014 është goditur nga vetëm 152 tërmete me magnitudë 3.5 deri në 6.3 shkallë të Rihterit.

Nga 89 tërmete me intensitet 5 ballë, nga 37 tërmete me intensitet 6 ballë, nga 13 tërmete me intensitet 7 ballë, nga 10 tërmete me intensitet 8 ballë (1 tërmet i përket periudhës para vitit 1900) dhe nga 3 tërmete me intensitet 9 ballë (2 tërmete ipërkasin periudhës para vitit 1900).

Ndër tërmetet më të fuqishme që kanë goditur Kosovën nga viti 1900 e pas, janë ai i Prizrenit me 8 ballë të riterit, ai i Pejës po ashtu me 8 ballë të riterit, i Ferizajit me 9 ballë, i Vitisë po ashtu me 8 ballë.

Komento: