Tërmetet që goditën Kosovën e Shqipërinë, mësohen të gjitha detajet

18:20 | 21 Shtator 2019

Dy tërmete të mëdha kanë goditur sot Shqipërinë.

Tërmetet kanë qenë aq të fuqishme, saqë dridhjet janë dëgjuar edhe në Kosovë dhe tetë shtete të tjera. Nga këto tërmete kanë mbetur të lënduar shtatë persona në Shqipëri, shkruan Express.

Nga ajo që raportohet nga Qendrat Ndërkombëtare Sizmologjike, shkalla e tërmetit ka qenë mbi 5.6 ballë të Rihterit.

Përveç në Kosovë, lëkundje të forta janë ndjerë edhe në Bullgari, Bosnje, Kroaci, Greqi, Itali, Serbi, Maqedoni të Veriut e në Mal të Zi.

Vlen të theksohet se lëkundjet më të forta janë ndjerë në zonën e Durrësit, qytet i cili ka qenë më së afërti epiqendrës së tërmetit.

Shemsi Mustafa nga Instituti Sizmik i ka thënë gazetës Express se tërmeti e ka goditur Shqipërinë, por që ka qenë aq i fuqishëm sa dridhjet janë dëgjuar edhe në vendet e rajonit.

“Tërmeti e ka goditur Shqipërinë. Epiqendra ka qenë 30 km larg Tiranës, pra në det. Tërmeti ka qenë i fuqishëm, për atë arsye dridhjet janë dëgjuar edhe në vendet e rajonit. Magnituda e tërmetit ka qenë 5.5 shkallë”, ka thënë Mustafa.

Lëkundjet e forta të tërmetit në Tiranë raportohet se kanë shkaktuar panik dhe frikë tek qytetarët, të cilat kanë lënë menjëherë shtëpitë dhe kanë dalë në rrugë. Lëkundjet e tërmetit zgjatën për disa sekonda, ndërsa raportohet se shkaktoi dëme materiale në shumë banesa.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, ky është tërmeti më i fortë në 20-30 vitet e fundit.

Nga shembja e një shtëpie pranë autostradës Tiranë Durrës janë plagosur dy persona. Në Pezë helmës janë lënduar tre persona në një familje por edhe në Tiranë dy të moshuar pësuan lëndime në pallatet e HAËAI pranë qendrës Kristal.

Komento: