Tërmeti i fuqishëm në lindjen e largët të Rusisë shkakton cunami, jepen urdhra evakuimi në Japoni e Hawai

08:59 | 30 Korrik 2025

Një tërmet i fuqishëm prej 8,8 shkallësh në Gadishullin Kamchatka në lindjen e largët të Rusisë shkaktoi cunami me valë katër metra të larta dhe bëri që autoritetet të lëshonin urdhra evakuimi në rajonin e Paqësorit të mërkurën.

Tërmeti dëmtoi ndërtesa dhe la të lënduar disa njerëz në rajonin e largët rus, ndërsa banorët në një pjesë të madhe bregdetare lindore të Japonisë u urdhëruan që të evakuoheshin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në Hawai, banorëve të zonave bregdetare iu tha që të vendosen në lartësi më të madhe bregdetare ose në katet e katërta apo më lart në ndërtesa. Roja Bregdetare e ShBA-së i urdhëroi anijet që të largoheshin nga limanet, përderisa cunami po afrohej.

“Ndërmerrni veprim! Priten valë shkatërruese të cunamit” – tha në rrjetin X Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave në Honolulu.

“Tërmeti i sotëm ishte serioz dhe më i fuqishmi në dekada me dridhje” – tha guvernatori i rajonit Kamchatka, Vladimir Solodov, në një video të publikuar në rrjetin “Telegram”.

Ministria e Shërbimeve Emergjente e Rusisë tha se një çerdhe fëmijësh ishte dëmtuar, por shumica e ndërtesave i bënë ballë tërmetit. Nuk është raportuar për lëndime serioze apo të vdekur.

Vëzhguesi Gjeologjik i ShBA-së tha se epiqendra e tërmetit ishte 119 kilometra në verilindje të qytetit rus me rreth 165 mijë banorë, Petropavlovsk-Kamchatsky.

Një banor i këtij qyteti tha se dridhja filloi ngadalë, por u forcua dhe vazhdoi për disa minuta. “Duke e konsideruar fuqinë e tij dhe sa zgjati… unë vendosa që të largohesha nga ndërtesa” – tha Yaroslavi, 25 vjeç.

Komento: