Tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë, bëri që shumë familje të mbesin pa kulm mbi kokë.
Një nga zonat e prekura nga tërmeti, ku shumë familje kanë mbetur pa strehë është edhe fshati Bubq në Fushë-Krujë.
Një familje prej dy javësh ka qëndruar në garazhin e makinës edhe pse njëri nga dy djemtë vuan nga probleme të aftësisë së kufizuar. I ati bën apel për ndihmë.
Ky është Juliani 25 vjeç, i cili prej 26 nëntorit nuk ka më një strehë ku të banojë bashkë me familjen. Banesa ku ata jetonin në fshatin Bubq të Fushë-Krujës u dëmtua nga tërmeti.
Babai i tij, Shpëtimi, i cili para 2 vitesh humbi edhe bashkëshorten nga një atak kardiak, thotë se prej dy javësh jeton së bashku me dy djemtë në garazhin e makinës.
“Ne kemi jetuar në atë pallat që ëstë shembur 3 katësh, nga gjendja ekonomike edhe unë nuk kam mundësi tjetër të vazhdoj diku tjetër për arsye se jam këtu afër vëllezërve dhe më ndihmojë për djalin që është invalid. Këtë garazh e kam bërë për makinën dhe detyrimisht po jetojn këtu, jo s’e nuk kam pasur cadër, por nuk kam arritur t’ja plotësoj kushtet”, shprehet Shpëtim Shullazi.
E vemtja ndihmë për këtë familje, është kjo çadër dhe disa ndihma ushqimore. Por, babai i Julianit thotë se për shkak të problemeve shëndetësore që djali ka e kanë të pamundur të jetojnë gjatë në kushte të vështira dhe pa një strehë.
‘Unë në çadër nuk kam mund ta bëj jetesën e atillë, pasi ky ka shumë probleme. Unë jam këtu afër vëllezërve dhe më ndihmojnë. Emergjenca ime është një konteiner me banjo brenda për arsye të atillë. Gjë tjetër nuk kërkoj”.
Nga tërmeti i 26 nëntorit janë dëmtuar rëndë shumë banesa edhe në Fushë-Krujë . Sipas të dhënave ngva Zyra Operacionale në Bashkinë Krujë 921 janë shpallur të pabanueshme, ndërsa pritet të shemben edhe 45 objekte.