Tërmeti në Shqipëri, mbyllen 30 shkolla

22:29 | 07 December 2019

Shqipëria u godit nga një tërmet i fortë javën që lamë pas.

Janë mbi 30 shkolla, të cilat nuk do të hapen ditën e hënë për shkak të dëmeve të krijuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Zv/ministrja e Arsimit Lorena Haxhiu, e ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora tha se janë marrë të gjitha masat që nxënësit të transportohen në shkolla të tjera, duke filluar nga pikat e grumbullimit deri tek shpenzimet, të cilat do të mbulohen nga buxheti i ministrisë.

Lorena Haxhiu, zv/ministre e Arsimit: Janë mbi 30 shkolla që nuk do të hapen ditën e hënë, por për secilën prej tyre është marrë masa e nevojshme për zhvendosjen në shkollat pritëse, ku do të priten si turni i pasdites në rastet kur është e nevojshme dhe shkollat kanë kapacitet të plotë të nxënësve të tyre dhe në turnin e parë atëherë kur shkolla i ofron kapacitet e mjaftueshme. Plani i zhvendosjes është mëse i plotë. Ne kemi marrë masat përmes drejtuesve të shkollave dhe mësuesve që kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me prindërit që secili nga prindërit të jetë i informuar se ku do të jetë pika që është caktuar për transportin. Transporti mësë tepërmi është parë i nevojshëm në zonat rurale. Me nisjen e procesit mësimor edhe në zonat e prekura nga data 5 dhjetor e kemi parë që ky plan zhvendosje përmes transportit të ofruar nga zyra arsimore dhe të buxhetuar në buxhetin e ministrisë së Arsimit ka funksionuar mësë miri.

Haxhiu tha se plani i zhvendosjes do të prekë 15 mijë nxënës, ndërsa buxhetit të ministrisë do ti kushtojë 15-17 milionë lekë.

Lorena Haxhiu, zv/ministre e Arsimit: Në buxhetin e ministrisë është parashikuar që edhe në muajin dhjetor dhe në muajin janar të sigurohet për të gjitha këto shkolla që kanë plan zhvendosje. Janë rreth 15 mijë nxënës që janë pjesë e këtij plani zhvendosje. Për buxhetin nuk mund të japim një shifrë fikse por varian nga 15-17 mln lekë.

Zv/ministrja garantoi se të gjitha shkollat që do të hapen të hënën janë 100% të sigurta.

Lorena Haxhiu, zv/ministre e Arsimit: Të gjitha shkollat që do të hapen në datën 9 dhjetor janë shkolla 100% të sigurta. Vetë ministrja së bashku me ekipin që ka punuar në terren kanë arritur të mundësojnë kontrollin e imtësishëm të këtyre shkollave inspektimeve nga tre grupe.

Të gjitha shkollat të cilat nuk do të hapen, do të jenë gati për tu rihapur në janar të vitit 2020.

Komento: