‘Tërmeti’ politik nga Gjykata Speciale

08:36 | 27 July 2019

Stuhia nga Gjykata Speciale.

Gjykata Speciale ka shkaktuar “tërmet” politik në Kosovë me ftesat e fundit që i ka dërguar në drejtim të ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit javën që shkoi pikërisht për shkak të ftesës që mori nga kjo Gjykatë. Pos tij, gjatë shtatë muajve të fundit për intervistim janë ftuar edhe dhjetëra ish-eprorë të tjerë të UÇK-së, shkruan gazeta “Zëri”.

Kanë kaluar më shumë se shtatë muaj prejse në Kosovë kanë nisur të vijnë ftesat e para nga Gjykata Speciale. Përgjatë kësaj periudhe janë ftuar më shumë se 70 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për t’u intervistuar, qoftë në cilësinë e dëshmitarit ose të dyshuarit. I pari që pati konfirmuar pranimin e ftesës nga prokurori i specializuar, në fillim të dhjetorit të vitit 2018, ishte Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit.

Ndërkohë gjatë javës që shkoi ftesë për intervistim mori edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj, i cili menjëherë pas kësaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit. Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë thënë për gazetën “Zëri” se para dy-tri ditësh në drejtim të ish-pjesëtarëve të UÇK-së kanë ardhur edhe dy ftesa të reja. Ndërkohë avokatët e akredituar nga kjo gjykatë thonë se shumë shpejt pritet të nisë edhe ngritja e aktakuzave të para. Megjithëkëtë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë pranuar të japin detaje në këtë drejtim.

Komento: