Termocentrali i ri do të ndërtohet në vitin 2019

08:32 | 27 Dhjetor 2018

Ministri i Zhvillimit Ekonomi, Valdrin Lluka ka bërë të ditur se në vitin 2019 do të ndërtohet termocentrali i ri.

Pas një dekade të tërë zvarritje gurthemeli i termocentralit “Kosova e Re” mund të vendoset në prill të vitit të ardhshëm nëse sigurohet financimi dhe projekti merr dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës si garanci shtetërore. Kaq optimist u shpreh ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” nuk e përjashtoi mundësinë e dështimit të projektit për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re”. Sipas tij, një gjë e tillë mund të ndodhë në rast se nuk sigurohet financimi dhe i njëjti nuk merr pëlqimin në Kuvendin e Kosovës. Situatë të vështirë e quan ai tërheqjen e Bankës Botërore (BB) nga financimi.

Megjithatë, sipas Llukës, kjo nuk e ka penguar projektin pasi janë paraqitur kompani të huaja si Agjencia Amerikane për Financimin e Projekteve Jashtë Amerikës bashkë me Bankën Ndërkombëtare Japoneze.

“Besoj në muajin mars të dyja këto organizata në bordet e tyre do ta votojnë pakon financiare. Nëse çdo gjë shkon mirë në muajin prill duhet të vijnë në Kuvendin e Kosovës për ta votuar me dy të tretat të votave garancinë shtetërore lidhur me këtë projekt. Dhe nëse në Parlamentin e Kosovës ec pa problem besoj se në muajin prill ose maj mund të vendoset edhe gurthemeli për këtë termocentral”, është shprehur ministri .

Komento: