Testimi i virgjërisë do të jetë vepër penale në Kosovë

13:54 | 12 October 2022

Ndryshimet në Kodin Penal, testimi i virgjërisë do të jetë vepër penale në Kosovë.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 100-të ka miratuar ndryshimin e Ligjit për Kodin Penal të Kosovës.

Po ashtu përmes këtij ndryshimi ka propozuar edhe ashpërsimin e dënimeve ndaj kryerësve të veprave penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje.

Mes tjerash, me ndryshimet në Kodin Penal, testimi i virgjërisë ka hyrë në mesin e veprave penale, pasi konsiderohet se ky është test mjekësor i panevojshëm përmes së cilit shkelen të drejtat themelore njeriut.

“Po ashtu është paraparë si vepër e re penale Testimi i virgjërisë, kjo vepër e re sanksionohet sepse konsiderohet se ky është test mjekësor i panevojshëm përmes së cilit shkelen të drejtat themelore njeriut”, ka shkruar Flamur Pireva, këshilltar i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Postimi i plotë i Pirevës:

Masa ndëshkuese për veprat penale të dhunimit

Ndalimi i blerjes në ankande të shitjes së pronave publike, aseteve publike apo licencave që jepen nga një autoritet publik në çfarëdo shërbimi nga tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.

Ndalimi i aplikimit si investitor strategjik dhe çdo formë tjetër e përfitimit nga privilegjet që jepen nga legjislacioni në fuqi nga tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.

Ndalimin e të drejtës së kandidimit në çdo pozitë publike nga tre (3) deri në dhjetë (10) vjet, personit i cili shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit dhe dhunës në familje

Ndalimin e punësimin në sektorin publik në të gjitha nivelet, personit i cili shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit.

Ndalimin e të drejtës në përfitimin e patentë shoferit dhe të drejtën në drejtimin e automjetit në çdo lloj të kategorisë, nga një (1) deri në pesë (5) vjet, personit që është shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit.

Po ashtu është paraparë që në rastet kur kemi të bëjmë më veprën penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje kufijtë e zbutjes së dënimeve nuk do të zbatohen.

Është paraparë edhe një vepër e re sipas të cilës do të ndëshkohet penalisht kushdo që me qëllim të frikësimit ose detyrimit për të vepruar kundër vullnetit të tyre, me dashje ushtron dhunë fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike, në formë të drejtpërdrejtë apo indirekte, ndaj grave që ushtrojnë funksione publike ose kandidate për ushtrimin e funksioneve publike dënohet me gjobë dhe me burgim nga gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet ndërsa nëse vepra penale kryhet në formë të organizuar cilësohet si rrethanë rënduese.

Po ashtu është paraparë si vepër e re penale Testimi i virgjërisë, kjo vepër e re sanksionohet sepse konsiderohet se ky është test mjekësor i panevojshëm përmes së cilit shkelen të drejtat themelore njeriut.

Andaj synojmë që të sigurohet rritja dhe përputhshmëria e kornizës ligjore të Kosovës me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilat i ndalojnë kontrollimet e detyruara të virgjërisë ka bërë ndryshimet e nevojshme në këtë aspekt.

Komento: