Pasagjerët e tetë autobusëve të linjës Kosovë- Tiranë nuk iu është lejuar ta kalojnë pikën kufitare në Morinë mëngjesin e sotëm.
Ata kanë mbetur të bllokuar prej disa orësh për shkak të një urdhri të Ministrisë së Transportit të Kosovës. Ministri Pal Lekaj ka treguar për Express, arsyen e kësaj bllokade.
Ai ka deklaruar se arsyeja që autobusëve iu është ndaluar kalimi në pikën kufitare në Morinë, është keqpërdorimi i lejes nga operatorët e Shqipërisë.
Lekaj ka thënë se pezullimi do të vazhdojë deri në takim të komisioneve teknike nga të dyja shtetet.
“Operatorët nga Shqipëria kanë poseduar leje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, për kalim nëpër territorin e Kosovës vetëm tranzit. Por kjo leje është keqpërdorur në vazhdimësi, autobusët kanë ndaluar edhe nëpër stacionet e Kosovës për të marrë udhëtarë, prandaj departamenti përkatës në MIT, ka pezulluar këtë leje. Pezullimi do të vazhdojë deri në takim të komisioneve teknike nga të dyja shtetet, për shqyrtim”
Ndërkaq, Rifat Hajdinaj, kryetar i shoqatës së transportit publik të linjave Bajram Curr-Kosovë-Tiranë, ka reaguar duke mohuar që të jetë vënë në dijeni për këtë urdhër dhe u bën apel dy qeverive përkatëse të zgjidhin situatën.
“Që prej 2010-tës nuk kemi patur probleme gjatë levizjës për në Kosovë”, është shprehur Hajdini.