Pjesë e listës së LDK-së për zgjedhjet e 6 tetorit nuk do të jetë emri i Teuta Rugovës.
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani, sot ka folur për mos futjen e Teuta Rugovës në listën me emra të kësaj partie që do të garojnë për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit.
Osmani ka thënë që një vendim i tillë është bërë në dakordim edhe me vetë Teuta Rugovën.
“Ky ka qenë një vendim i përbashkët dhe besoj që edhe vet familja Rugova tashmë ju ka njoftuar. Ka qenë vendim i përbashkët i yni me Teuta Rugovën”, ka thënë Osmani gjatë vizitës në “Shtëpinë e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova”.
Osmani ka thënë se ditën e sotme po e nisin nga vendi ku ka filluar gjithçka.
“Sot me 7 shtator, në ditën e Kushtëtutës së Kaçanikut, ne kemi vendosur që ditën ta fillojmë pikërisht nga vendi ku filloi gjithçka”.Në këtë shtëpi të vogël është ndërtuar projekti më i madh – projekti i shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik të Republikës së Kosovës. Ky ka qenë vendi ku Presidenti Rugova së bashku me disa bashkëpuntorë kanë bërë hapat e parë për konsilidimin e këtij shteti”, ka thënë Osmani.
“Këtu jo vetëm që është punuar për idenë e Pavarësisë së Kosovës, por mbi të gjitha, nga kjo shtëpi ka kumbuar zëri i Kosovës nëpër botë”, ka shtuar tutje.