Thaҫi flet për takimin e Parisit, thotë se pa Amerikën ky takim është zero

23:25 | 09 Maj 2019

Së shpejti do të zhvillohet takimi i radhës, e kjo pritet të ndodh në Paris.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për takimin që krerët e Kosovës do ta zhvillojnë në Paris me homologët e tyre nga Serbia, me ndërmjetësimin e Francës dhe Gjermanisë.

Thaçi ka thënë se shpreson që ky takim do të jetë më mirë i organizuar sesa samiti i Berlinit, i cili u mbajt javë më parë, gjithashtu nën organizimin e Gjermanisë dhe Francës.

Por, Thaçi ka deklaruar se nuk pret që as në Paris “të hapet një temë konkrete, që do t’i prezantohet palëve”.

Por, ai ka thënë se ka një “dallim të madh” mes takimit të Parisit e samitit të Berlinit.

Në Berlin ishin të gjithë përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit, ndërsa në Paris do të jenë vetëm udhëheqësit e Kosovës përballë atyre të Serbisë, ka theksuar ai.

Thaçi ka thënë se mendon që takimi i Parisit do të jetë “më i drejtpërdrejtë”.

Ai ka folur përsëri për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bisedimet Kosovë-Serbi.

“Nuk besoj që takimi në Paris do të ndodhë pa koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Thaçi.

Nëse ky koordinim me Amerikën mungon, rezultati i takimit të Parisit do të jetë zero, ka parashikuar Thaçi.

“Pozicioni i Amerikës është shumë i qartë, nuk kanë vija të kuqe. Më është konfirmuar zyrtarisht”, ka deklaruar Thaçi.

Komento: