Thaҫi flet edhe njëherë për dialogun me Serbinë, ja ҫfarë thotë

19:05 | 23 December 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur edhe njëherë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë do të shërbejë për mbylljen e konfliktit shekullor.

“Është momenti i duhur dhe historik që Kosova dhe Serbia gjatë një periudhe afatshkurtër të arrijnë marrëveshje historike të paqes për njohje reciproke si dy shtete fqinje”, thotë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas tij, ky proces ka mbështetjen e fuqishme edhe të bashkësisë ndërkombëtare, me theks të veçantë SHBA-ve.

“Edhe Shtëpia e Bardhë, administrata e presidentit Trump, ambasadori John Bolton e theksoi shumë qartë se me zgjidhjen e problemeve ne rajonin e Ballkanit, duke përfshirë edhe përmbylljen e konfliktit një shekullor mes Kosovës dhe Serbisë, përmes një marrëveshje paqësore, edhe Evropa do jetë më e qetë dhe më e fortë. Ajo që mund të konstatoj është kjo, që Kosova do të koordinohet për të gjitha angazhimet që do të ketë në muajt e ardhshëm për të përmbyllur me sukses procesin e filluar për marrëveshjen historike të paqes e njohjes reciproke Kosovë-Serbi.”, nënvizoi për INA, presidenti Thaçi.

I pyetur se marrëveshja a ka si bazë korrigjimin e kufijve, presidenti Thaçi tha se “marrëveshja do të jetë gjithëpërfshirëse dhe me një substancë të gjerë të shumë aspekteve apo çështjeve të hapura, të cilat do t’i negociojë ekipi negociator i Kosovës.” Sipas tij, roli i SHBA-ve do të jetë i pazëvendësueshëm në këtë proces që do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia, dhe kjo marrëveshje duhet të bartet edhe me heqjen e vetos se Rusisë në Këshillin e Sigurimit dhe Kosova të përfitojë njohjen globale.

Intervista e plotë me presidentin Hashim Thaçi e zhvilluar në Nju Jork:

Zoti President, ju së fundi qëndruat në Nju Jork dhe Uashington. Por ajo që ishte me rëndësi ju patët një takim me kryetarin e Sigurisë Kombëtare, John Bolton, çfarë do të thoshit ?

Thaçi: Kam pasur një bisedë të shkëlqyer me këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Presidentit amerikan Donald Trump, ambasadorin John Bolton. Një takim ky që për mendimin tim është një mbështetje unike e plotë. Ishte konstatim i përbashkët se është momenti i duhur dhe historik, të cilin nuk duhet ta humbin Kosova dhe Serbia për arritjen e marrëveshjes përfundimtare që nënkupton njohjen përfundimtare reciproke, ndryshimi i Rezolutës 12/44, anëtarësimin e Kosovës në OKB. Edhe Shtëpia e Bardhë, administrata e presidentit Trump, ambasadori Bolton e theksoi shumë qartë se me zgjidhjen e problemeve ne rajonin e Ballkanit, duke përfshirë edhe përmbylljen e konfliktit një shekullor mes Kosovës dhe Serbisë, përmes një marrëveshje paqësore, edhe Evropa do jetë më e qetë dhe më e fortë. Ajo që mund të konstatoj është kjo, që Kosova do të koordinohet për të gjitha angazhimet që do të ketë në muajt e ardhshëm për të përmbyllur me sukses procesin e filluar për marrëveshjen historike të paqes e njohjes reciproke Kosovë-Serbi.

Cili është roli i SHBA-ve?

Thaçi: Roli i SHBA-së mendoj se do të jetë i pazëvendësueshëm dhe Kosova e unë personalisht do të jemi të koordinuar në çdo hap me Shtëpinë e Bardhë me administratën e presidentit Trump që do të hapte mundësinë e sigurt për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në BE. Ky mendoj se ishte gjithashtu konstatimi përbashkët se ky është momenti që duhet të mobilizohen të gjithë, në mënyrë që marrëveshja të jetë sa më efektive, që të reflektojë paqe në rajon. Kështu Kosova do mund të ruajë karakterin e vet multietnik. Prandaj ishte konstatimi që duhet të arrihet marrëveshja, të arrihet njohja reciproke dhe kjo marrëveshje Kosove-Serbi duhet të bartet edhe me heqjen e vetos se Rusisë në Këshillin e Sigurimit dhe Kosova të përfitojë njohjen globale.

Marrëveshja me Serbinë a nënkupton korrigjim kufijsh mes dy shtetesh?

Thaçi: Marrëveshja do të jetë gjithëpërfshirëse dhe me një substancë të gjerë të shumë aspekteve apo çështjeve të hapura, të cilat do t’i negociojë ekipi negociator i Kosovës. Do të ishte në interes që në këtë proces të integrohet edhe opozita. Gjithçka do kalojë nëpërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës, kështu që unë kam besim në ekipin negociator, të themeluar nga Kuvendi, me përfshirje të spektrit opozitar, në mënyrë që shteti ynë të jetë sa me unik dhe i qëndrueshëm në ballafaqimin me Serbinë. Nuk do të jetë e lehtë, por kam besim te ky ekip që do t’i kryejë punët mirë. Gjithashtu, do të shtoja që jam i lumtur për reformat në drejtësi. Prandaj mund të them që Kosova po shënon progres. Duhet të bashkëpunim i të gjithëve, pasi ne e dimë që në Ballkan ose ka lëvizje përpara për mirë ose lëvizje prapa për të keq, “status quo” nuk ka më. Prandaj është momenti për vendim, është momenti për të ecur përpara. SHBA mbështet plotësisht pavarësinë e Kosovës, sjelljen e njohjeve të reja, anëtarësimin e Kosovës në organizata të tjera ndërkombëtare dhe njëkohësisht mbështesin plotësisht sovranitetin tonë si shtet.

Ju kishit një debat të jashtëzakonshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i thirrur ky nga Rusia me kërkesën e Serbisë. Çfarë mendoni se e ka “nxitur” Serbinë për të kërkuar me anë të Rusisë aleate një debat të tillë të ashtuquajtur i jashtëzakonshëm ?

Thaçi: Po ashtu si edhe ju pyesni – Realisht ishte një seancë e jashtëzakonshme në një moment dhe kohë të zakonshme. Pra nuk kishim të bënim me një situatë të tillë si edhe pretendon Rusia me kërkesën e Serbisë për të thirrur një seancë të tillë. Dihet se shkas u bë vendimi për të transformuar FSK në Ushtrinë e Kosovës, një vendim ky më se normal i marrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në kushte më se normale nga të zgjedhurit e popullit të Kosovës. Serbia është zëmëruar me këtë rast, por qytetarët serbë të Kosovës mendojnë se Jo!. Në anën tjetër, themelimi i Ushtrisë së Kosovës ka mbështetjen e plotë dhe masive të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mbështetje unike të politikës kosovare. Andaj gjejë rastin edhe një herë të falënderoj të gjithë për këtë mbështetje kaq të madhe. Por njëherit edhe të shteteve anëtarë të Këshillit të Sigurimit, vendet e Bashkimit Evropian që e kanë mbështetur dhe e mbështetën pa ekuivoke edhe sot themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Tanimë pas këtij debati ose seance të mbajtur krejt të panevojshme, me kërkesën e Serbisë nga Rusia, mund të themi se edhe ky debat iku dhe shteroi. Ushtria e Kosovës do të ecë vetëm përpara – s’ka kthim mbrapa më .

Në këto kushte për sa flisni ju, A mendoni se të njëjtën gjë ka për të bërë edhe Beogradi, që pas kësaj seance të vazhdojnë dialogun në Bruksel?

Thaçi: Defitinivisht, në bisedimet tona nuk ka asnjë alternativë tjetër. Dialogu duhet të vazhdojë dhe të arrijmë në një marrëveshje paqësore përfundimtare që sipas meje do të thotë njohjen pa kushte të Kosovës nga Serbia; që do të thotë njohjen e njëra tjetrës si dy vende fqinje dhe sovrane. Dhe kështu do të përshpejtojmë rrugën e Kosovës drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Edhe për Serbinë natyrisht është e natyrshme rruga e saj evropiane, të cilën ajo pretendon se e ka nisur. Ne nuk duam urrejtje, nuk duam as hakmarrje, por duam mirëkuptim dhe paqe mes njëri tjetrit. Dhe këto mendojmë se i arrijmë vetëm me një përmbyllje finale të marrëveshjeve mes vetit përmes një procesi.

Në Këshillin e Sigurimit ju për herë të parë folët edhe si shef i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës. A tregon kjo se nuk ka më kthim prapa, pavarësisht si do të jetë reagimi edhe në Bruksel?

Thaçi: Natyrisht! Vendimi i miratuar nga Kuvendi i Kosovës është i pakthyeshëm. Tashmë, Ushtria e Kosovës është funksionale dhe është në detyrën e saj që i takon në formimin e saj. Në akordim me aleatët tanë dhe NATO – angazhimet e saj që i takojnë do të jenë si një ushtri e rregullt. Ushtria e Kosovës sot ka qëllimin dhe prioritet e saj, vizionin e saj të ecë përpara që gjithçka sa i përket asaj është e përmbyllur. Ndërsa do të punohet për angazhimet e saj që do të jenë të rëndësishme për të pasur një ushtri me të vërtet profesionale, moderne dhe të pajisur me mjete ushtarake e logjistike bashkëkohore. Ushtri multietnike dhe të përgatitur në nivelin që kërkohet logjistik për të pasur një ushtri moderne.

Së fundi zoti President, meqenëse jemi edhe në prag të festave të fundvitit, a keni një mesazh për shqiptarët kudo që janë, përfshirë edhe ata në diasporë SHBA.

Thaçi: Të gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe ata në diasporë SHBA, i urojë përzemërsisht themelimin e Ushtrisë së Kosovës. I urojë festat e fund-vitit Krishtlindje dhe Vitin e Ri, lumturi dhe proseperitet për ju dhe familjet tuaja në diasporë. Ky ka qenë një vit e sfidave të mëdha dhe sukseseve për Kosovën, Shqipërinë dhe kudo që janë shqiptarët. Gëzuar!

Komento: