Presidenti Thaҫi gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, ka folur edhe për shkëmbimin e territoreve.
Ai ka thënë se është për korrigjim të kufijve me Serbinë, përmes të cilit Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës, ndërsa territorit të Kosovës nuk do t’i preket asnjë centimetër.
Këto deklarime Thaçi i ka bërë në Samitin e Diasporës të organizuar në Shqipëri, ku ka mohuar se do të ketë shkëmbim të territoreve dhe ndarje të Kosovës.
I tensionuar në fjalimin e tij presidenti Thaçi ka thënë se pa shkelur mbi trupin e tij, askush nuk do të mund të cenojë asnjë milimetër të territorit të Republikës së Kosovës.
“Shkëmbimi i territoreve kurrë nuk do të ndodh. Për shkëmbim territoresh kanë folur edhe më herët. Shkëmbimi i territoreve është pazar dhe askush nuk do të lejojmë që të bëj pazar me kauzën kombëtare. Ndarja e Kosovës, pa shkelur mbi trupin tim, nuk do të mund ta cenojë kush asnjë centimetër, as Trepçën as Ujmanin, as Mitrovicën dhe asnjë milimetër të Republikës së Kosovës. Për ndarje të Kosovës dhe ekzagjerime të tilla. Ata që flasin sot për ndarje, janë ata që e kanë ndihmuar Sllobodan Millosheviqin janë miqtë ë Radojicicit që i kam dëbuar nga Kosova”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa sa i përket idesë për korrigjim të kufijve ka thënë se e përkrah një ide të tillë, përmes të cilës Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës, pa dhënë asgjë në këmbim.
“Korrigjimi i kufijve, Po. Sepse nuk ka njeri në botë që ma mohon idenë për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën, pa u cenuar asnjë milimetër i territorit të Republikës së Kosovës”, ka potencuar ai.
Këto deklarime të Thaçit vijnë një ditë pas takimit të tij me dy zyrtarët e administratës së Donald Trump.