Thaҫi në mediat spanjolle është shprehur kundër ndryshimit të kufijve.
Sikur që kishte bërë kohë më parë në mediat gjermane ku kishte folur kundër ndryshimit të kufijve, Presidenti Thaçi e ka harruar Preshevën dhe ka thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është e tij.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka dhënë një intervistë për gazetën spanjolle La Vanguardia.
Prestigjiozja spanjolle fillon shkrimin me një përshkrim të rrugëtimit Thaçit prej një lideri të ri politik i UÇK’së në vitin 1999, deri tek zgjedhja e tij si president i vendit.
Në këtë intervistë është përmendur edhe ideja e marrëveshjes së obligueshme ligjërisht me Serbinë dhe ideja e këmbimit të territoreve.
“Ideja nuk është e imja. Ishte e skeptikëve dhe kritikëve”thotë presidenti.
“Ideja ime është që të kemi një model europian me kufijë të hapur, në të cilën jeton një shoqëri multietnike dhe e integruar”
Tutje Thaçi ka folur edhe për krijimin e ushtrisë. Ai ka thënë se kjo është e drejtë e Kosovës si një shtet sovran dhe i pavarur si dhe është e nevojshme për aspiratat e vendit për antarësim në NATO.
Thaçi ka folur edhe për ndikim që do kishte njohja e Spanjës në shtetet e tjera të Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Së pari do të doja të falenderoja qeverinë dhe popullin spanjoll për solidaritetin e dëshmuar në kohë të krizës dhe spastrimit etnik. Spanja ka qenë pjesë e bombardimeve të NATO’s dhe është pjesë e KFOR’it e cila ka vendosur paqen në Kosovë”, ka shtuar presidenti i Kosovës.
“Spanja nuk është Serbi, dhe nuk qeveriset nga Slobodan Milosevici. Dhe as Katalonia nuk është Kosovë”.