KQZ-ja qe një vit e bllokuar, presidenti Hashim Thaçi akuzohet për pazare politike.
Anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka një vit që u është skaduar mandati, përderisa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ende nuk i ka emëruar përfaqësuesit e rinj politikë të këtij institucioni, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Nga ky bllokim i punës së KQZ-së kanë pësuar edhe shumë asamblistë komunalë në gjithë Kosovën. Afër 40 asamblistë të komunave presin për t’u certifikuar, bashkë me ta edhe një deputet i Kuvendit të Kosovës. Gjithashtu, të gjitha stafet e grupeve parlamentare dhe të punësuarit në partitë politike, të cilët financohen nga buxheti i shtetit, ka tashmë 2 muaj që janë bllokuar për paga të rregullta.
Duke qenë se nga zgjedhjet e fundit parlamentare janë tri subjekte fituese, PAN-i, LVV-ja dhe LDK-ja, sipas interpretuesve të Kushtetutës, këto subjekte politike duhet t’i marrin nga dy anëtarë në KQZ. Por pas zgjedhjeve janë krijuar edhe grupe tjera parlamentare për të cilat presidenti Thaçi pati dilema nëse duhet të kenë përfaqësues në këtë organ, gjë për të cilën kërkoi interpretim edhe nga Gjykata Kushtetuese, shkruan Gazeta “Zëri”.
Pasi Kushtetuesja e ka kthyer si të papranueshme kërkesën e presidentit, Thaçi kishte kërkuar nga gjashtë grupet parlamentare shqiptare të propozojnë nga një përfaqësues për anëtar në KQZ, por dy partitë opozitare LDK-ja dhe LVV-ja nuk u pajtuan.