Hashim Thaçi përsërit kritikat ndaj BE-së se nuk po i vlerësojnë progreset e Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po merr pjesë në forumin “To Be Secure” në Mal të Zi.
Gjatë fjalimit të tij, Thaçi ka thënë se sfidë mbetet rrugëtimi më i shpejt i vendeve të rajonit në perspektivën evropiane.
Ai ka theksuar se Kosova është një storie e suksesit dhe kjo rrit përgjegjësinë e lidershipit që t’i nis hapat konkret për integrime evropiane.
“Jemi anëtarësuar në 200 organizata ndërkombëtare, por ende mbetet shumë për të bërë për tu anëtarësuar edhe në organizata tjera të rëndësishme. Pengesat mendojnë se janë të tejkalueshme. Pas sukseseve të jashtëzakonshme që Mali i Zi arriti të anëtarësohet në NATO, marrëveshjes së Prespës, themelimit të ushtrisë së Kosovës, dhe komunikimeve që i kemi me secilin në rajon pavarësisht dallimeve unë jam optimist se rajoni është në rrugë të sigurt për të ardhmen euroatlantike”, ka deklaruar Thaçi, raporton lajmi.net.
Presidenti e ka përsëritur se është i pakënaqur me Bashkimin Evropian pasi këta të fundit nuk e kanë plotësuar premtimin për liberalizimin e vizave.
“Unë më së tepërti jam i pakënaqur me qëndrimin e ngurtë të Bashkimit Evropian që nuk i ka vlerësuar progreset e Kosovës, veçanërisht në liberalizim të vizave. Është një vlerësim i standardeve të dyfishta, ka sjellë pakënaqësi. Durimi ynë do të jetë më i madh ndoshta sesa vonesa e Bashkimit Evropian”, ka theksuar Thaçi.